E Diel, 1 Nëntor 2026

Pajisja me pasaporta biometrike e emigrantëve, zgjaten oraret



Artan CENA -Zgjatet orari i aplikimeve për pasaportat biometrike. Vendimi është marrë nga Ministria e Brendshme. Gjatë një deklarate për shtyp, ka bërë të ditur se, si herët e tjera, në verën e vitit të kaluar apo pushimet e Vitit të Ri, dhe këtë sezon orari i aplikimit do të jetë më i zgjatur se zakonisht. Të gjitha ndryshimet bëhen për tu ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë që vijnë në vend për pushime. Me këtë rast ata aplikojnë dhe për dokumentet e reja, që u nevojiten për të lëvizur lirisht. “Ky shtim i orarit të punës të zyrave të aplikimit për pasaporta biometrike synon t'u vijë në ndihmë në mënyrë të veçantë qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit dhe kthehen në Shqipëri për pushimet e verës”, theksoi zëvendësministri i Brendshëm Fredinand Poni.
Aplikimet
Ardhja e emigrantëve për pushime në Shqipëri pritet të sjellë një fluks tjetër në aplikimin e pasaportave biometrike, që janë një nga hapat për liberalizimin e vizave. Për të marrë një pasaportë të re, që kanë hyrë në fuqi që një vit më parë, duhet të ndiqet një procedurë e rregullt, që fillon me blerjen e kuponit në zyrat e Postës Shqiptare dhe përfundon me marrjen e dokumentit të identifikimit në zyrën e bashkisë apo të komunës ku është bërë aplikimi. Një nga kushtet e vëna dhe më i rëndësishmi është që tërheqjen e pasaportës mund ta bëjë vetëm personi që ka bërë aplikimin për t’u pajisur. Sipas procedurave, askush tjetër nuk mund ta marrë dokumentin për shkak të aktivizimit të çipit ku ndodhen të dhënat personale të aplikantit. Aktivizimin e të dhënave mund ta bëjë vetëm personi të cilit i përket dokumenti biometrik.
Oraret e reja
Orari i ri i punës në zyrat e gjendjes civile dhe në zyrat e aplikimit për dokumentet e identifikimit pritet të jetë nga ora 08:00 e mëngjesit, deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Gjithashtu të shtunën pritet që të jetë ditë pune për punonjësit që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë më qytetarët që do të aplikojnë apo marrin dokumentet e identifikimit. Gjithashtu Poni u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të gjithë kohën e shërbimit të zyrave përkatëse për të aplikuar dhe për t'u pajisur me pasaporta biometrike si dhe të tërheqin pasaportat nga zyrat e aplikimeve.

Aplikimet deri në datë 16 korrik 2010
Dokumente Identiteti
Bazuar ne informacionin e dhënë nga kompania Aleat sh.p.k, statistikat e përditësuara deri më datë 16 Korrik 2010 për dokumentet e identitetit janë si më poshtë vijon;
Letërnjoftim elektronik
Numri total i aplikimeve, 2.191.000
Numri total i letërnjoftimeve të shpërndara pranë zyrave përkatëse, 2.178.000
Numri total i letërnjoftimeve të tërhequra, 1.994.000
Pasaporte biometrike
Numri total i aplikimeve, 802.000
Numri total i pasaportave të shpërndara pranë zyrave përkatëse, 783.000
Numri total i pasaportave të tërhequra, 683.000

Si veprohet në rastet kur pasaporta aktuale ka vizë të vlefshme
Në rastet kur shtetasit disponojnë një vizë të vlefshme në pasaportat aktuale dhe ndërkohë janë pajisur me pasaporta biometrike, atëherë ata paraqesin pranë organeve të kufirit pasaportën biometrike të shoqëruar me pasaportën ekzistuese në të cilën ndodhet viza e vlefshme. Pasaporta e vjetër evidentohet dhe shënohet duke ia dorëzuar shtetasit për përdorim deri në përfundim të vlefshmërisë së vizës.

Si do të procedohet nga TIMS në pikat kufitare?
Pas lëshimit të pasaportave biometrike, sistemi i Kontrollit të Kufirit (TIMS) do të kryejë këto procedura:
a) Transferimi i të dhënave do të kryhet manualisht, periodikisht deri në momentin kur të dyja sistemet do të mund të komunikojnë online.
b) Kompania koncesionare dërgon periodikisht në rrugë manuale/elektronike/online, informacion mbi pasaportat e lëshuara. Ky grup pasaportash do të krahasohet me pasaportat aktive në sistemin TIMS; të gjitha krahasimet pozitive çaktivizojnë pasaportat ekzistuese në sistemin TIMS.
c) Në çdo rast kur shtetasi kërkon të ripajiset me pasaportë, do të zbatohen të njëjtat procedura si për marrjen e saj për herë të parë, por duke lëshuar nga ana e aplikantit një deklaratë për arsyet e kërkesës për ripajisje.

Kur kërkohet ripajisje me pasaportë biometrike
Një shtetas kërkon të pajiset me pasaportë biometrike para mbarimit të afatit të pasaportës që disponon kur:
a) pasaporta e mëparshme është vjedhur ose dëmtuar;
b) pasaporta e mëparshme ka humbur;
c) ndryshohen gjeneralitetet.

Penalizimi në rast shkeljesh të procedurave
Në rast të konstatimit të shkeljeve të procedurave të përcaktuara në këtë udhëzim të Ministrisë së Brendshme, të shpërndarë në çdo njësi bashkiake në vend ndaj nëpunësve të ngarkuar me zbatimin e këtij akti do të merren masa disiplinore. Organet e ngarkuara për zbatimin e këtij udhëzimi janë zyrat e gjendjeve civile në bashki/komuna/njësi bashkiake, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Dokumentet e aplikimit për pasaportën
Në rast të aplikimit më vete për pasaportë biometrike shtetasi vepron si më poshtë:
a) Për shtetasit nën moshën 16 vjeç, aplikimi për pasaportë biometrike bëhet vetëm në prezencë të paktën të njërit prej prindërve, të kujdestarit ligjor ose të përfaqësuesit me prokurë të posaçme. Në këtë rast duhet të paraqiten dokumentet e mëposhtme:
- kuponi për aplikim (kupon i pagesës);
- një dokument i vlefshëm me fotografi që vërteton identitetin e tij.
Një dokument i tillë mund të jetë:
- pasaportë;
- certifikatë personale me fotografi.
b) Për shtetasit nën moshën 16 vjeç, aplikimi për pasaportë biometrike bëhet duke paraqitur dokumentet e mëposhtme:
- kuponi për aplikim (kupon i pagesës);
- vetëm letërnjoftimi elektronik.
Tërheqja e pasaportës biometrike bëhet pranë zyrave të shpërndarjes në Drejtorinë e Policisë përkatëse. Tërheqja e pasaportës kryhet nga aplikanti, nga kujdestari ligjor për shtetasit nën 16 vjeç ose persona të autorizuar me prokurë të posaçme si dhe nga pjesëtarë të afërt të familjes (bashkëshorti/ja, prindi, fëmija). Aplikimi për letërnjoftim elektronik mund të bëhet në çdo qendër aplikimi pranë njësive të qeverisjes vendore. Tërheqja e letërnjoftimit elektronik bëhet pranë zyrës në të cilën është bërë aplikimi vetëm nga vetë aplikanti.

Aplikim për letërnjoftim elektronik
Çdo shtetas, i cili ka mbushur moshën 16 vjeç, paraqitet pranë çdo qendre aplikimi për dokumente identiteti duke paraqitur dokumentet e mëposhtme:
- kuponi për aplikim (kupon i pagesës, i cili blihet pranë zyrave postare);
- një dokument i vlefshëm me fotografi që vërteton identitetin e tij.
Një dokument i tillë mund të jetë:
- pasaportë;
- certifikatë personale me fotografi;
- patentë;
- letërnjoftimi i vjetër;
- dokumente të tjera identifikimi me fotografi.
Aplikimi për letërnjoftim elektronik mund të bëhet në çdo qendër aplikimi pranë njësive të qeverisjes vendore. Tërheqja e letërnjoftimit elektronik bëhet pranë zyrës në të cilën është bërë aplikimi vetëm nga vetë aplikanti.

22 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›