E Shtunë, 31 Tetor 2026

GJND në favor të Kosovës

Epilogu i debatit për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë në favor të saj, ndërkohë që shton se për një paqe të qëndrueshme në Ballkan do të duhet edhe shumë kohë, ka deklaruar se historiani i njohur kroat Ivo Banac, profesor i Universitetit amerikan në Yale.

Unë pres që kjo gjykatë e lartë, thjesht do të konfirmojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Nuk mund ta paramendoj se mund të jetë ndryshe, pa marrë parasysh që Serbia dhe disa sponsorë të saj, gjithsesi presin një vendim krejtësisht tjetër. Por unë mendoj se kjo nuk mund të vijë në konsiderim, sepse do të përbënte një precedent dhe njëlloj kthese në zinxhirin e marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë Banac për Radio BBC.

Ai ka rikujtuar se Kosova, si dhe Vojvodina, sipas Kushtetutës jugosllave të vitit 1974 është përkufizuar si element i federatës dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kosova de facto kishte gati të njëjtin status si republikat federative, ka thënë ai.

Por, Banac vlerëson se fakti më i rëndësishëm që Serbia humbi Kosovën është se ajo u mundua me forcë të shkatërrojë autonominë e Kosovës faktikisht ta kolonizojë atë dhe të shpërngulë popullatën shqiptare. Ky gabim i udhëheqjes serbe që nuk u shoqërua me ndonjë kundërshtim të theksuar të opozitës në Serbi, tani po paguhet. Po paguhet me faktin se situata e tashme në Kosovë është e pakthyeshme.

Historiani kroat ka komentuar edhe deklaratën e presidentit rus Dmitry Medvedev, i cili ka thënë në Beograd se çështja e Kosovës është e papërfunduar derisa Serbia të mos ketë thënë fjalën e fundit. Kjo është për keqardhje. Kjo i jep shpresë Beogradit i cili në bazë të këtyre garancive, para së gjithash nga Rusia, mendon se mund të rikthejë një gjendje të humbur. Prandaj, mendoj se politika dhe diplomacia e Moskës në këtë moment po vepron negativisht për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të çështjeve të tjera në Ballkan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›