E Diel, 1 Nëntor 2026

GJND po e komplikon bashkëpunimin

Politikanët në Prishtinë dhe në Beograd e kanë për detyrë që të gjejnë modalitetet e bashkëpunimit dhe rrugët evropiane për zgjidhjen e problemeve, ka deklaruar në një intervistë për Radio Kosovën, Ivan Vejvoda nga Trusti Ballkanik për Demokraci me seli në Beograd. Sidoqoftë, ai ka theksuar se aktualisht bashkëpunimi rajonal po kalon nëpër një fazë të komplikuar për shkak të procesit në GJND, megjithatë, sipas tij, çështjet do të ndryshojnë pas opinionit të Gjykatë.

“Ky me të vërtetë do të jetë një moment shumë i rëndësishëm. Prej shumë kohësh, GJND-ja nuk ka pasur një detyrë të ngjashme me këtë që i ka dhënë tani Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, por, sido që të jetë mendimi, palët do të kërkojnë në atë sqarim të komplikuar juridik fakte që shkojnë në favorin e tyre”, ka thënë ai.

“Duhet të presim dhe të shohim saktësisht se si do të zhvillohen çështjet, megjithatë është e sigurt se mendimi i rëndësishëm do të ketë ndikim në rastet e mëvonshme që do të paraqiten në këtë gjykatë. Mirëpo, ekziston edhe një realitet politik, i cili nuk do të ndryshojë në terren”, ka shtuar Vejvoda.

Duke komentuar për Konferencën e Bërdos, duket se megjithatë rajoni është gjallëruar që kur ka filluar mbajtja e konferencave të tilla.

“Para së gjithash do të thosha se kjo është njëra në vargun e konferencave që mbahen që dhjetë vjet, që kur Sllobodan Millosheviqi është larguar nga pushteti dhe që kur bashkëpunimi rajonal ka ecur përpara. Kur shikojmë se sa takime rajonale janë mbajtur dhe të cilat vazhdojnë të mbahen, jo vetëm ndërmjet politikanëve, por edhe në nivele të tjera: ekonomike, kulturore etj. thjesht arrijmë në konkluzionin se kemi një rajon të gjallëruar dhe në komunikim të përhershëm”, ka thënë ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›