E Shtunë, 31 Tetor 2026

GJND, sot vendimi për Kosovën

çështja e ligjshmërisë së pavarësisë u dërgua në Gjykatë nëpërmjet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila mbështeti kërkesën e Serbisë me shumicë votash. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi më i lartë gjyqësor i OKB-së.

Sipas ekspertëve, pritet që të lexohen vetëm disa pjesë karakteristike të vendimit, më konkretisht ato që kanë të bëjnë me opinionin e Gjykatës. Më pas vendimi do t’i dërgohet Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Opinioni i GJND-së nuk ka fuqi detyruese, por vetëm këshilluese.

Specialistët mendojnë se vendimi mund të ndikojë ndjeshëm situatën në rajon si dhe në situata të ngjashme në botë. Pas GJND-së nuk ka asnjë instancë tjetër ku vendimi mund të ankimohet dhe gjithashtu opinioni i sotëm luan rol të rëndësishëm në ecurinë e procesit të njohjes së Kosovës nga shtetet e tjera.

Në dhjetor të vitit të kaluar përfaqësuesit e 30 shteteve shprehën argumentet e tyre pro dhe kundër pavarësisë. Vende të tilla si Kina, Rusia dhe Spanja u shprehën kundër, ndërsa SHBA-të kryesonin listën e gjatë të shteteve që shpreheshin në mbështetje të këtij procesi, së bashku me shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Madje edhe shtete të dalë nga ish-Jugosllavia, si Kroacia dhe Sllovenia, u shprehën në favor të Kosovës.

Sot do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e më tepër se 40 vendeve nga e gjithë bota, çka tregon interesimin e madh për këtë çështje. Nga pala kosovare do të jetë i pranishëm ministri i Jashtëm Skënder Hyseni, i cili është shprehur optimist se opinioni i sotën i drejtësisë ndërkombëtare do të jetë në favor të Kosovës.

Edhe Serbia do të përfaqësohet me ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiç. Ky i fundit ka deklaruar se pavarësisht vendimit të GJND-së, qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, duke shtuar se serbët do ta çojnë çështjen në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në vjeshtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›