GREQI – Fermerët bllokojnë pikat doganore në veri të vendit

SELANIK, 17 dhjetor /ATSH-ANA/ – Fermerët vazhduan sot me bllokadat që kanë ngritur në pikat doganore Evzoni dhe Niki, në kufirin e Greqisë me Maqedoninë e Veriut, si edhe në Promachonas dhe Exochi, në kufirin me Bullgarinë.
Fermerët në pikën doganore të Promachonasit vazhduan për shumë orë bllokimin e zonës, ku mobilizimi preku vetëm kamionët e transportit ndërkombëtar. Automjetet private dhe autobusët u lejuan të kalonin lirshëm.
Shoferët e kamionëve ndodheshin në vendngjarje, ndërsa bllokada po përforcohej edhe nga përfaqësues të sindikatave të tjera, të cilët kishin paralajmëruar praninë e tyre.
Në të njëjtën kohë, në koordinim të plotë me kolegët e tyre në Promachonas, fermerë dhe blegtorë nga Nevrokopi po zhvillojnë gjithashtu një bllokadë tetëorëshe.
Gjatë kësaj periudhe ndalohet hyrja dhe dalja e kamionëve të të gjitha llojeve, ndërsa automjetet e pasagjerëve dhe autobusët turistikë devijohen në rrugë alternative.
Në një veprim të papritur sot, fermerët protestues në prefekturën e Serresit vendosën të përshkallëzojnë veprimet e tyre duke bllokuar pa afat pikën doganore të Promachonasit, në kufirin me Bullgarinë, për të gjithë kamionët e transportit ndërkombëtar.
Fermerët protestojnë për mosshlyerjen e 30% të mbetur të subvencioneve kryesore që u detyrohen, duke u ankuar se Agjencia e Sigurimeve Bujqësore (ELGA), në vend që të kryejë pagesat, ka zgjedhur fillimisht të mbajë kontributet.
Ata thanë se do të mbajnë asamble në intervale të rregullta për të vendosur nëse do të lehtësojnë përkohësisht trafikun e rënduar në pikën doganore të Promachonasit./ /Ad.Ab./ a.jor.