GREQI – Tre të vdekur nga mbytja e një anijeje me emigrantë në Kretë

ATHINË, 12 nëntor /ATSH-DPA/ – Të paktën tre persona humbën jetën pasi një anije që transportonte emigrantë u përmbys në jug të ishullit grek Kretë, raporton transmetuesi ERT, duke cituar rojen bregdetare.
ERT-ja raporton se deri tani janë shpëtuar 56 persona dhe po vazhdon kërkimi për pasagjerë të tjerë të mundshëm.
Transmetuesi publikoi dje në mbrëmje një video të xhiruar nga shpëtimtarët gjatë afërsimit me anijen e mbingarkuar në det të hapur.
Në video dëgjohen thirrjet për ndihmë nga njerëzit, pastaj video ndalet.
Pak më vonë, anija e vogël u përmbys për arsye që fillimisht nuk ishin të qarta.
Në operacionin e shpëtimit morën pjesë anije të rojës bregdetare, një helikopter i forcave ajrore dhe një anije nga agjencia e mbrojtjes së kufijve të BE-së, Frontex.
Të shpëtuarit do të dërgoheshin fillimisht në Kretë dhe do t’u jepeshin kujdes mjekësor.
Thuhet se emigrantët kishin nisur udhëtimin nga qyteti port i Libisë, Tobruk.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, deri të dielën, pothuajse 16 000 emigrantë kishin arritur në Kretë që nga fillimi i vitit 2025.
Krahasuar me vitin e kaluar, kjo përbën një rritje prej 300%, sipas burimeve në Ministrinë e Migracionit.
Qeveria në Athinë po kërkon një shpërndarje më të drejtë të barrës së refugjatëve brenda BE-së./ /Ad.Ab./