Gabimet (ç)njerëzore të arbitraveRastet më flagrante në Superligë, disa prej të cilave kanë përcaktuar rezultatet e ndeshjeve. Gafat e arbitrave. Si do ishte renditja e vërtetë e Superligës. Vllaznia, më e favorizuara; Tirana, kampione që jav

LEONARD KARAJ (PANORAMA SPORT)- Pa gabimet e arbitrave në 32 javë Superligë, Tirana do të ishte shpallur kampione, ndërsa Partizani nuk do të luftonte ende për mbijetesë. Duke iu referuar moviolave të shumta të zhvilluara në rubrikat sportive në “Ora News”, TVSH dhe ALSAT por jo vetëm kaq. Duke marrë për bazë edhe mendimet e ekspertëve në fushën e arbitrimit, në 32 javët e Superligës shqiptare rezultojnë 20 takime, rezultati i të cilave do të kishte qenë ndryshe pa gabimet e arbitrave. Skuadra më e penalizuar është Partizani, me 4 pikë më pak nga sa duhej të kishte. Ndërsa ajo që ka përfituar më shumë është Vllaznia, e cila pa gafat arbitrale në favor të saj, do të kishte sot jo 64 pikë, por vetëm 60, çka do t’i kishte lejuar Tiranës që të ishte shpallur matematikisht kampione që javën e shkuar. Pikë në një farë mënyre u janë mohuar edhe Dinamos (3 pikë), Besës (2 pikë) dhe Flamurtarit (1 pikë), por gjithsesi pozicioni i tyre në renditje do të ishte pak a shumë i njëjtë me atë aktual. Ndërsa kanë përfituar veç Vllaznisë, Teuta e Durrësit (3 pikë më shumë) Bylis (2 pikë) dhe Apolonia e Lushnja (1 pikë).
Arbitrat
Një gabim i izoluar gjatë një ndeshjeje futbolli jo vetëm në kampionatin shqiptar, por edhe në ato më elitare cilësohet si normal dhe njerëzor. Por kur ato përsëriten në sasi dhe në kohë e për më tepër në çdo sfidë, atëherë një arbitër futbolli merr etiketime të tjera. Në Shqipëri, akuzat më të shpeshta pas një humbjeje shkojnë për gjyqtarët, teksa drejtuesit e sektorit përkatës në FSHF e quajnë gjithnjë "justifikime për mosarritje të rezultatit" një gjë të tillë. Jo vetëm në të shkuarën, por edhe këtë sezon gjykimet ‘flop’ nuk kanë munguar. Mentor Sopjani, Ervis Peza, Bardhyl Pashaj, Sokol Çekaj e deri tek Albano Janku kanë qenë protagonistë, por këtë herë negativë të këtyre ndeshjeve.
Mentor Sopiani
Në fazën e parë, gabimi më i tmerrshëm i Sopianit ishte penalltia e dhënë për Besën në ndeshjen ndaj Elbasanit (1-0 për kavajasit). Ishte data 4 tetor dhe si për çudi, klubi verdheblu e pati kontestuar fuqishëm zgjedhjen e tij. "Ai gjithnjë na ka kërkuar haraç prandaj nuk e duam", tha atëherë shefi elbasanas Artin Kovaçi. Por nuk e la me kaq. Në përballjen e “Selman Stërmasit” mes Tiranës dhe Apolonisë, Sopiani dha një penallti inekzistente për bardheblutë. Muzaka kthen kokën dhe është gati të protestojë se nuk ishte faull, por e kupton që gjyqtari ka dhënë 11-metërsh për të dhe qetësohet. Në një moment tjetër, fierakët mund të shënonin gol, por arbitri ndërpret aksionin për faull në favor të tyre. Karishik, trajneri i Apolonisë, vë duart në kokë. Por duhet theksuar se në ndryshim nga takimi Besa-Elbasani, në Tirana-Apolonia, gabimet fatmirësisht nuk reflektuan në rezultat.
Ervis Peza
Edhe Peza ka qenë shumë larg gjykimeve të shëndosha të sezonit të kaluar. Ai drejtoi në fazën e parë derbin Tirana-Partizani, duke gabuar disa herë. Nuk i dha karton të kuq portierit të Tiranës, Blendi Nallbani, për një faull jashtë zone, në fund jep simulim dhe nuk nxjerr karton për lojtarët e Tiranës, ndërsa e kishte bërë këtë për ata të Partizanit. Më tej, drejton Vllaznia-Teuta. Anulon një gol dhe nuk i jep dy penallti më shumë se të pastra ekipit shkodran. Por në këtë takim fatmirësisht gabimet nuk ndikuan në rezultat. Nuk mungojnë problemet as në Teuta-Flamurtari, e zhvilluar në Shijak. U përfol se gjyqtari u kërcënua në pushim të ndeshjes, aq sa në pjesën e dytë, Starova e shante me libër shtëpie dhe ai nuk i nxirrte karton. Në një moment, faullin e ekzekuton dy herë, aq sa mjafton që të shënohej goli.
Shkëlqim Guçe
Mjafton një ndeshje, Partizani-Bylis 1-1, për t'i dhënë karton të kuq vetes. Guçe ishte i pezulluar për një kohë të gjatë, madje edhe kur u rrah nga deputeti, Hajrulla Paturri në Fushë-Krujë nuk i shpëtoi dënimit për gjykim të dobët. Atëherë u bë një hero, por rikthimi nuk ishte ai që mendonin të gjithë. Në ndeshjen Partizani-Bylis jep një penallti totalisht inekzistente për ballshiotët, që rezulton vendimtare në fund. Miqtë barazojnë 1-1 dhe marrin një pikë. Arbitri kërkon falje, por të kuqtë e Shpëtim Duros “qajnë” tri pikët.
Albano Janku
Edhe pse është një arbitër ndërkombëtar, ka pasur edhe ai problemet e veta në gjykim. Ndër to ka qenë takimi Partizani-Elbasani. Në fillim ishte një penallti që nuk u dha për të kuqtë për një faull ndaj Bakajt. Më pas, goli i Elbasanit shënohet pas një faulli dhe në fund, nuk fishkëllen asgjë, pasi Arjan Sheta ndërhyn ndaj Marius Ngjelës. Madje, kthehet nga anësori dhe ia lë gjithçka në dorë atij. Genc Maloku heziton dhe bën që të shpërthejë një revoltë e vërtetë e të kuqve. Për hir të së vërtetës nuk ishte penallti, pasi faulli ishte jashtë zonës, por në bazë të moviolës ishte minimalisht faull dhe karton i kuq.
Meta & Jemini
Që të dy në baketën e “të këqijve” në sfida ku luan Dinamo. Në java e 30-të Lorenc Jemini anulon tre gola për pozicion jashtë loje dhe nuk jep një penallti sade në zonën e rreptësisë kundër mesfushorit Igli Allmuça. Ndërkohë pamjet filmike dhe moviolat treguan të kundërtën. Gjithsesi, Dinamo humbi dy pikë, ndërsa Lushnja mori një pikë. Një javë më vonë, Kridens Meta “bën” të pamundurën që vendësit kryesues në atë moment të fitonin ndaj bluve me 7 lojtarë të rinj si titullarë. Ai akordon një 11-metërsh të dyshimtë pas një faulli mes Artion Poçit dhe Vioresin Sinanit. Ndërkohë disa minuta më vonë nuk vërshëllen për një penallti të pastër në dëm të argjentinasit Ruben Çeko (Dinamo), rast të cilin më së miri e vërtetuan pamjet filmike.
Anësorët
Edhe këtu ka shumë problematikë dhe pothuajse që të gjithë kanë gabuar të paktën një herë një pozicion të paqenë jashtë loje, por vetëm Denis Rexha dhe Arben Molla kanë rezultuar si “të dëmshëm”. Denis Rexha gabon në Kavajë, në Besa-Vllaznia kur për shkak të tij, Suad Lici del me karton të kuq dhe vendësit fitojnë 1-0. Më tej, në Fier goditet me shishe në kokë, pasi ndërpriste çdo aksion të vendësve të Apolonisë kundër Flamurtarit. Ndërsa në Elbasan sinjalizoi një penallti për Dinamon. Në të vërtetë, maksimumi ishte një goditje dënimi në dy kohë, por Rexha është gjithnjë i prerë në vendimet e tij dhe fut në kaos edhe Jarecin. Madje, duke rrezikuar një shishe tjetër. Ndërsa Molla gaboi në “Loro Boriçi”, teksa i anulonte një gol të rregullt si jashtë loje sulmuesit të Bylisit. Takimi mund të kishte përfunduar në barazim.
Epilog
Duhet theksuar se në listën e mësipërme janë marrë parasysh vetëm gabimet, që realisht kanë ndikuar në rezultatin e ndeshjeve. Këto gabime janë konfirmuar si të tilla në shumë raste edhe nga vetë arbitrat dhe Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Java 2
Bylis-Besa 2-3
Ballshiotët i faturojnë gjithçka gjyqtarit Aranit Lulajt. Pas dy golave të vendësve në pjesën e dytë arbitri jep një penallti të dyshimtë për kavajasit, të cilët rifuten në lojë. Më pas Besa shënoi edhe dy gola të tjerë me anë të Prognit. Sipas presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj, ndeshja ishte e trukuar.
Flamurtari-Elbasani 0-1
Skandaloz edhe arbitrimi i kësaj ndeshjeje, ku arbitri Bardhyl Pashaj gaboi më së shumti në dhënien direkt të kartonit të kuq për mbrojtësin vlonjat, Begaj. Për më shumë se një pjesë loje me 10 futbollistë “miqtë” nga Elbasani arritën të merrnin tri pikë. Duhet theksuar se në vetëm këtë takim Pashaj dha 6 kartonë të verdhë për lojtarët e Flamurtarit (Arifaj, Beqiri, Con, Kuqi, Brajkovic, Pema), 3 kartonë të verdhë për elbasanasit (Vrapi, Mehmetaj, F. Xhafa), dhe tre kartonë të kuq, 2 për vendësit (Begaj, Alvizh) dhe 1 për “miqtë” (Bejzade).
Java 3
Tirana-Partizani 2-1
Ervis Peza drejtoi në fazën e parë derbin Tirana-Partizani, duke gabuar disa herë. Nuk i dha karton të kuq portierit të Tiranës, Blendi Nallbani, për një faull jashtë zone, në fund jep simulim dhe nuk nxjerr karton për lojtarët e Tiranës, ndërsa e kishte bërë këtë për gjë për lojtarët e Partizanit. Për këtë Peza u akuzua nga presidenca “e kuqe”, e cila e cilësoi si të paaftë.
Java 4
Besa-Elbasani 1-0
Protagonist bëhet gjyqtari Mentor Sopjani, i cili dha një penallti për vendësit, e cila rezultoi si vendimtare për rezultatin e takimit. Pamjet filmike tregonin qartë për një penallti shumë bujare, dhënë nga ana gjyqtari për vendësit. Si për çudi, klubi verdheblu e kishte kontestuar fuqishëm zgjedhjen e tij, por sektori i garave në FSHF nuk e ndërroi arbitrin.
Java 5
Vllaznia-Bylis 1-0
Një Bylis i transformuar nga një shkodran që udhëton drejt Shkodrës dhe po të mos ishte për anësorin Arben Molla, do të kishte dalë me të paktën një pikë nga “Loro Boriçi”. Pas golit të parë të shënuar nga Sinani për Vllazninë, ballshiotët barazojnë pesë minuta më vonë me anë të sulmuesit Klevis Dalipi, pas një topi të kthyer nga shtylla, por që për çudi u anulua nga gjyqtari anësor.
Java 6
Flamurtari-Partizani 1-0
Flamurtari fitoi falë një penalltie të kthyer në gol nga kroati, Brajkoviç, por protagonisti kryesor në fakt nuk ishte ai, por arbitri Lorenc Jemini. Në momentin e penalltisë së ekzekutuar nga Brajkoviç në zonën e rreptësisë ishin futur edhe 3 futbollistë të Flamurtarit, ç’ka duhej që penalltia të përsëritej. Së dyti, në një rast tjetër Jemini, pasi i drejtoi kartonin e dytë të verdhë për protesta mbrojtësit “të kuq”, Luan Pinari, e lejon këtë të fundit të vazhdojë lojën, duke qëndruar në fushë. U desh ndërhyrja e gjyqtarit të katërt që Jemini të nxirrte nga xhepi sërish kartonin e kuq dhe të largonte nga fusha mbrojtësin.
Java 7
Partizani-Bylis 1-1
Luhet Partizani-Bylis (1-1) dhe gjykon Shkëlqim Guçe. Ky i fundit para këtij takimi kishte qenë i pezulluar për një kohë të gjatë, madje edhe kur u rrah nga deputeti Hajrulla Paturri në Fushë-Krujë nuk i shpëtoi dënimit për gjykim të dobët. Në ndeshjen Partizani-Bylis jep një penallti totalisht inekzistente për ballshiotët, që rezulton vendimtare në fund. Miqtë barazojnë 1-1 dhe marrin një pikë. Arbitri kërkon falje, por largohet "përjetësisht" nga Superliga.
Java 8
Besa-Vllaznia 1-0
Denis Rexha është anësor, por nuk është rastësi që kudo ku ka qenë ai, ka pasur probleme. Në Kavajë në javën e tetë në Besa-Vllaznia, bën që Suad Lici të ndëshkohet me karton të kuq, pasi “gjoja” shau tifozët, duke sjellë reagimin e ashpër të lojtarit shkodran. Largimi i tij dhe mbetja me 10 lojtarë ndikoi te shkodranët, gjë që e shfrytëzoi më së miri Besa, e cila mundi të fitonte takimin.
Java 11
Partizani-Elbasani 2-2
Albano Janku është arbitër ndërkombëtar, por problemet edhe me të nuk kanë munguar. Partizani-Elbasani; në fillim ishte një penallti që nuk u dha për të kuqtë për një faull ndaj Bakajt. Më pas, goli i Elbasanit shënohet pas një faulli dhe në fund, nuk vërshëllen asgjë, pasi Arjan Sheta ndërhyn ndaj Marius Ngjelës. Madje, kthehet nga anësori dhe ia lë gjithçka në dorë atij. Genc Maloku heziton dhe bën që të shpërthejë një revoltë e vërtetë e të kuqve. Për hir të së vërtetës nuk ishte penallti, pasi faulli ishte jashtë zonës, por duke iu referuar moviolës, ishte të paktën faull dhe karton i kuq.
Java 12
Teuta-Dinamo 0-0
Edhe këtu bëhet protagonist negativ një anësor. Arian Mali i anuloi një gol mëse të rregullt Teutës së Durrësit për pozicion jashtë loje, i cili në fakt në bazë të pamjeve filmike rezultoi se nuk ishte i tillë dhe goli ishte i rregullt. Pas takimit mjaft i ashpër në deklaratën e tij ishte edhe trajneri Sulejman Starova, i cili e quajti si të paaftë.
Java 16
Dinamo-Lushnja 1-0
Rast flagrant penalltie që anashkalohet nga arbitri i takimit Sokol Çekaj. Sulmuesi i Lushnjës, Arbëri, pasi hyn në zonën e Dinamos, driblon edhe portierin Kotorri, por ky i fundit e rrëzon në tokë pas një ndërhyrjeje, që pamjet filmike e konstatonin më së miri. Por këtë rast e gjykoi Çekaj, i cili në fakt nuk dha jo vetëm penallti, por as simulim nga ana e futbollisti lushnjar. Më pas, në minutën e 90-të të takimit mbrojtësi Diop shënoi golin e vetëm për Dinamon.
Java 17
Apolonia-Teuta 1-0
Edhe Labjon Mustafaraj fut me dashje, ose jo veten ndër “flop”-et e 32 javëve Superligë. Në përballjen e “Loni Papuçiut” ai dha një penallti për Apoloninë, e cila nga pamjet filmike rezultoi si shumë fiktive. Mbrojtësi i Teutës preku me dorë topin, por sipas rregullores, jo vetëm që dora e tij ishte e ngjitur me trupin, por edhe distanca me lojtarin e Apolonisë, që gjuajti topin ishte mjaft e afërt. Penalltia i dha tri pikët fierakëve, ku pa atë gabim loja do të kishte përfunduar në barazim pa gola nga ku secila skuadër do të merrte nga një pikë.
Java 20
Bylis-Flamurtari 1-1
Bylisi i presidentit Besnik Kapllanaj ka kontestuar ashpër gjykimin e arbitrit Ervis Peza në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Sipas tyre dhe moviolës në rubrikat sportive dukej qartë që arbitri nuk kishte akorduar një 11-metërsh të pastër në pjesën e dytë të takimit për vendësit, duke u hequr kështu mundësinë e marrjes së tri pikëve.
Java 22
Besa-Apolonia 2-1
Pas golit të parë të shënuar nga “miqtë” barazon afrikani Nana. Dhe vetëm dy minuta më vonë haitiani me pasaportë franceze, Herbi Fortunat, shënon golin e fitores për Besën. Por goli i tij u kontestua fuqishëm nga fierakët, aq sa ndeshja u ndërpre për rreth 7-8 minuta. Sipas tyre dhe nga pamjet filmike dukej qartë që sulmuesi i Besë në çastin e dërgimit të topit në rrjetë shtynte jo vetëm portierin e Apolonisë, por edhe mbrojtësin duke i “plasur” edhe këta të fundit bashkë me topin në rrjetë. Por arbitri kryesor, Sokol Çekaj, sinjalizoi gol në favor të vendësve.
Java 23
Besa-Elbasani 1-1
Protagonist negativ anësori R.Çoka. Në dy raste flagrante të Fortunatit dhe Mancakut, sollën protesta të fuqishme në stafin dhe futbollistët e Besës, por edhe tifozerisë vendëse, duke vënë në pozitë edhe kryesorin E.Hoxha. Ky i fundit në minutën e 88-të kompletoi ditën negative të arbitrave, duke mohuar një 11-metërsh për Besën, me gjithë protestat e futbollistëve, kur topi preku dorën e një mbrojtësi të Elbasanit.
Teuta-Partizani 3-2
Ndërsa në Durrës i vjen radha gjyqtarit Pajtim Lapi që të gabojë. Këtë herë “viktima” është Partizani në dëm të të cilit arbitri dha një penallti, që nga moviola dukej qartë që kurrsesi nuk mund të ishte e tillë. Ai moment ndryshoi rrjedhën e lojës, pasi deri në këtë çast (minuta e 82) Partizani ishte në fitore, 2-1.
Java 25
Vllaznia-Flamurtari 3-1
Vlonjatët kontestojnë ashpër gjykimin e arbitrit Enea Jorgji. Pas barazimit 1-1 në minutën e 85-të nga ana e Flamurtarit, arbitri vërshëllen për një 11-metërsh 3 minuta më vonë në zonën vlonjate, për një prekje të topit me dorë nga një mbrojtës kuqezi. Pamjet filmike treguan se dora e mbrojtësit vlonjat ishte e ngjitur pas trupit, por edhe distanca ishte mjaft e afërt nga kundërshtari që gjuajti topin. Gjithsesi, Jorgji, fare pranë aksionit akordoi 11 metërsh. Gjuan Lici dhe gol. 2-1 për Vllazninë. Nga ai moment vlonjatët lanë lojën, duke qëndruar pasivë në fushë. Vllaznia ndërmerr një aksion tjetër dhe Sukaj, pa u kontestuar nga asnjë mbrojtës shënoi edhe golin e tretë për vendësit.
Java 29
Bylis-Partizani 1-0
Një gol i rregullt, por i sinjalizuar nga anësori Maloku si pozicion jashtë loje irriton skuadrën e Partizanit në ndeshjen me ballshiotët. Ngjela, i shkëputur në limitin e pozicionit jashtë loje (pamjet filmike treguan se sulmuesi i Partizanit mbahej në lojë plotësisht nga një mbrojtës i Bylisit), shënoi për “Demat e kuq” disa minuta nga vërshëllima e fundit e arbitrit, por goli u anulua.
Java 30
Dinamo-Lushnja 1-1
Dinamovitëve u anulohen tre gola për pozicion jashtë loje dhe një penallti sade në zonën e rreptësisë kundër mesfushorit Igli Allmuça. Pas takimin trajneri Shkëlqim Muça shprehu pakënaqësitë në drejtim të treshes Jemini-Rexha-Elezi. Pamjet filmike dhe moviolat tregonin qartë penalltinë dhe golin e dytë të pa sinjalizuar nga arbitrat.
Java 31
Vllaznia-Dinamo 1-0
Ndaj Dinamos akordohet një 11-metërsh i dyshimtë pas një faulli mes Artion Poçit dhe Vioresin Sinanit. Ndërkohë disa minuta më vonë gjyqtari kryesor, Kridens Meta, nuk vërshëllen për një penallti të pastër në dëm të argjentinasit Ruben Çeko (Dinamo), rast të cilin, më së miri e vërtetuan pamjet filmike dhe moviolat në rubrikat sportive të asaj mbrëmjeje në “Ora Neës”.
Shënim:
Në listën e mësipërme janë marra parasysh vetëm gafat, ose gabimet, që realisht kanë ndikuar së tepërmi në rezultatin e ndeshjeve. Këto gabime janë konfirmuar si të tilla në shumë raste edhe nga vetë arbitrat dhe pothuajse janë konfirmuar në moviolat në rubrikat sportive të disa televizioneve.
Renditja aktuale e Superligës
Nr. Ekipi ND F B H Gola Dif Pk
1. Tirana 32 18 11 3 55:26 29 65
2. Vllaznia 32 19 7 6 47:26 21 64
3. Dinamo 32 14 10 8 48:30 18 52
4. Teuta 32 12 8 12 30:31 -1 44
5. Shkumbini 32 12 8 12 31:35 -4 44
6. Besa 32 10 10 12 31:37 -6 40
7. Flamurtari 32 9 12 11 29:33 -4 39
8. Partizani 32 9 9 14 27:35 -8 36
9. Apolonia 32 10 5 17 33:42 -9 35
10. Bylis 32 8 10 14 25:38 -13 34
11. Lushnja 32 7 12 13 24:35 -11 33
12. Elbasani 32 6 14 12 24:36 -12 32
Renditja pa gabimet e arbitrave
Nr. Ekipi ND F B H Gola Dif Pk
1. Tirana 32 18 11 3 55:26 29 65
2. Vllaznia 32 17 9 6 44:26 18 60
3. Dinamo 32 15 10 7 49:30 19 55
4. Shkumbini 32 12 8 12 31:35 -4 44
5. Besa 32 11 9 12 32:37 -5 42
6. Teuta 32 11 8 13 28:31 -3 41
7. Flamurtari 32 9 13 10 29:31 -2 40
8. Partizani 32 10 10 12 28:33 -5 40
9. Apolonia 32 10 5 17 33:42 -9 35
10. Bylis 32 7 11 14 25:39 -12 32
11. Lushnja 32 7 11 14 24:36 -12 32
12. Elbasani 32 6 13 13 24:37 -13 31
E Premte, 22 Maj 2009