E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaddafi kërkon armë bërthamore për arabët

Presidenti i Libisë, Moammer Gaddafi, u shpreh për të drejtën e shteteve arabe, e gjithashtu edhe për të drejtën e palestinezëve, për të poseduar armë bërthamore.

Duke pasur parasysh faktin se Izraeli posedon armë bërthamore, atëherë këtë të drejtë e kanë edhe Siria, Egjipti dhe Arabia Saudite, deklaroi Gaddafi në intervistën dhënë kanalit televiziv, Sky News.

Madje edhe palestinezët duhet të posedojnë disa armë të tilla, ngase armiqtë e tyre kanë kapacitete bërthamore. Prandaj pse jo? Nëse dëshirojmë ti shmangemi kësaj situate, atëherë Izraeli duhet të detyrohet që të heq dorë nga arsenali i vet bërthamor, tha Gaddafi.

I pyetur për programin bërthamor të Iranit, Gaddafi u përgjigj se nëse Irani është vërtetë duke prodhuar armë bërthamore, atëherë të gjithë do të jenë kundër Teheranit.

Megjithatë, Irani ka theksuar se programi i vet është paqësor. Deri me tani Teherani nuk ka qartësuar se a është duke prodhuar armatim bërthamor, por vetëm ka theksuar se është duke pasuruar uranium, shtoi presidenti i Libisë.

Sipas ekspertëve, besohet se Izraeli posedon diku rreth 200 predha bërthamore. Kreu shtetëror i Izraelit disa herë ka bërë të qartë se në rast nevoje, do të ndalë ambiciet bërthamore të Iranit edhe me përdorimin e forcës ushtarake.

Në ndërkohë, mediet iraniane kanë njoftuar se inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) tashmë kanë inspektuar objektin bërthamor, ekzistencën e së cilit Teherani deri së fundi e ka mbajtur të fshehtë.

Delegacioni i IAEA-së, i përbërë nga katër inspektorë, me gjasë do të qëndrojë disa ditë në Iran.

Objekti i dytë i Iranit për pasurimin e uraniumit, ekzistenca e të cilit u zbulua muajin e kaluar, duke shtuar kështu brengat e bashkësisë ndërkombëtare, gjendet në afërsi të qytetit të shenjtë shiit, Qom, rreth 160 km në jug të Teheranit.

Perëndimi ka akuzuar Iranin se po synon prodhimin e armëve bërthamore, nën mbulesën e programit të vet paqësor bërthamor, për të cilin Teherani ka theksuar se ka për synim prodhimin e energjisë. Qeveria në Teheran ka mohuar akuzat e Perëndimit.

Për ti dhënë fund grindjes bërthamore, IAEA i ka propozuar Iranit, SHBA-së, Rusisë dhe Francës që sasia më e madhe e uraniumit të pasuruar, të cilën e posedon Irani, të përpunohet më tutje në botën e jashtme për qëllime mjekësore. Irani ende nuk ka ofruar përgjigjen e vet ndaj këtij propozimi dhe pritet që këtë ta bëjë gjatë kësaj jave.

Megjithatë, politikanë me ndikim në Iran e kanë kritikuar këtë propozim të IAEA-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›