E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miliband për një BE më të fuqishme

BE-ja duhet të shtojë angazhimin e saj dhe të dëshmojë se mund të shndërrohet në një aktor serioz, krahas SHBA-së, Kinës dhe Rusisë, ka theksuar sot ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband.

Unioni me 27 shtete anëtare duhet ti shndërrojë në prioritet marrëdhëniet e veta me Washingtonin, Pekinin dhe Moskën, shkroi Miliband në tekstin autorial, të publikuar në gazetën The Times, në prag të samitit dyditor të udhëheqësve të BE-së në Bruksel, i cili fillon të enjten.

Miliband në vazhdimësi ka mohuar raportet, të cilat kanë qarkulluar gjatë ditëve të kaluara, se ai është duke synuar funksionin e ministrit të Jashtëm të BE-së.

Europa duhet të shndërrojë në prioritet marrëdhëniet e veta me fuqitë e mëdha dhe me fuqitë që po dalin në sipërfaqe: me SHBA-në në fushën e sigurisë, me Kinën në fushën e ndryshimeve klimatike, me Rusinë në fushën e energjisë. Na duhet një Europë, e cila do të shtojë angazhimin dhe të dëshmojë se mund të jetë një partnere serioze dhe strategjike, theksoi ai.

Miliband bëri thirrje për zgjerimin e kufijve të Europës në lindje, për të përhapur demokracinë, aty ku dikur ka mbretëruar diktatura.

Ballkani Perëndimor, Turqia dhe Ukraina, që të gjithë e dëshirojnë anëtarësimin. Ne duhet ti mirëpresim. Europa ka buxhetin e dytë më të madh të ndihmave në botë, forcat ushtarake dhe të policisë po bëjnë një punë të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për luftën kundër piraterisë në Gjirin e Adenit, apo misionit për sundimin e ligjit në Kosovë, shkroi Miliband.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›