E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gadhafi i shpall Zvicrës luftë të shenjtë

Lideri i Libisë përshkallëzon problemet e deritanishme me vendin neutral

Pas dy shekujsh neutraliteti, Zvicra e gjeti veten dje në një situatë shumë të çuditshme dhe të paprecedentë: përballë një të ashtuquajture “lufte të shenjtë”, të shpallur nga lideri i Libisë, Gadhafi.
Qeveria e Zvicrës nuk ka bërë asnjë koment ndaj lëvizjeve të fundit të liderit libian, që përbëjnë një përshkallëzim të sagës diplomatike mes të dyja vendeve, e cila nisi me arrestimin në Gjenevë të djalit të liderit në vitin 2008, për akuzën e rrahjes së punonjësve të tyre. Edhe pse deklarata e libianit të fuqishëm për “xhihad” e bërë dje konsiderohet si një sjellje jo fort e jashtëzakonshme për një njeri që është shquar për veprime të çuditshme, rreziku nuk është për të mos u marrë fare në konsideratë, në një vend si Zvicra që kohët e fundit ka pasur disa kundërshti me islamin.
Analistët i kanë bërë thirrje qytetarëve të këtij vende për kujdes dhe politikanët kanë shprehur alarmin e tyre në lidhje me përfshirjen në një konflikt të padëshiruar të një vendi që ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe jashtë konflikteve dhe luftërave të planetit, duke pasur një status neutral. “Të çmendurve nuk mund t’ua parashikosh kurrë veprimet”, bëri të ditur një parlamentar nacionalist për shtypin. “Unë mund të imagjinoj se kjo nuk do të merret shumë seriozisht, megjithatë në njëfarë mënyre një kryetar shteti sapo na ka bërë një deklaratë lufte”. Në vend nuk ka pasur ndonjë shenjë të alertit për çështjet e sigurisë pa shtimin e vigjilencës. Për sa i përket Gedhafit, ai bëri thirrje për “luftë të shenjtë” për shkak të rezultatit të fundit të një referendumi në Zvicër, sipas të cilit në këtë vend nuk do të lejohet ngritja e minareve të xhamive. Ai i nxiti gjithashtu myslimanët që të bojkotonin prodhimet zvicerane dhe të ndalonin hyrjen e avionëve dhe anijeve nga ky vend në portet e vendeve arabe dhe myslimane. Një pjesë e madhe e kanë analizuar këtë shpërthim të liderit libian një akt “hakmarrjeje” ndaj arrestit në të cilin Zvicra e vuri djalin e tij edhe pse ai u la i lirë brenda dy ditësh. Por ndaj kësaj ngjarjeje, Tripoli u tregua shumë hakmarrës, duke i detyruar të gjithë biznesmenët libianë që të tërhiqnin paratë e tyre nga bankat e Zvicrës. Spanja dhe Italia ndërmjetësuan në përmirësimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, duke tentuar të qetësonin inatin e Libisë, e cila mori edhe masën e moslejimit të hyrjes në vend të të gjithë nënshtetasve që vinin nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian. Lideri libian nuk ka reputacion të mirë edhe në vendet arabe dhe sigurisht që nuk ka autoritetin fetar që të shpallë një luftë të shenjtë, por sipas një sociologu zviceran, i cili ka shkruar shumë për Libinë, thirrja e liderit ishte serioze, sepse ai e bëri atë në një ditë të shenjtë dhe feste për myslimanët, ditën e lindjes së Profetit Muhamed dhe ajo mund të bëjë për vete disa radikalë. Sipas tij, në botën myslimane, si kudo në botë, ka njerëz që janë budallenj dhe një gjë e tillë është shumë e rrezikshme për të ruajtur ekuilibrat e brishtë të një bote që ndodhet në një moment delikat. Ndaj deklaratave të Gedhafit kanë reaguar Ministritë e Jashtme të disa vendeve të Europës, të cilat i kanë cilësuar ato “të papërgjegjshme”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›