E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gallucci, zbulon strategjinë e Feithit

Ish-administratorit të dështuar të UNMIK’ut në Mitrovicë, Gerard Gallucci, i ka mbetur koka në Veri të Kosovës.

Megjithëse është larguar nga Kosova para vjeshtës së vitit 2008 pas një zhurme të madhe për shkak të qëndrimeve të tij proserbe, ai vazhdon të komentojë çdo zhvillim që ka të bëjë me pjesën veriore të Kosovës në një faqe personale në internet.

Ai zakonisht komenton deklarata të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare në Prishtinë, por së fundi ka “befasuar”, sepse ka arritur të shtie në dorë një draftdokument të brendshëm të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO).

Dokumentin, Gallucci e cilëson si Strategji e BE’së për pjesën veriore. Por, Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) thotë se dokumenti është i saj, e jo i Zyrës së BE’së në Prishtinë.

Sidoqoftë, Shefi i të dyja zyrave është diplomati holandez, Pieter Feith.
Zëdhënësi i ICO’së, Andy McGuffie, ka konfirmuar për Express se shkrimi i Galluccit në internet përmban elemente të draftstrategjisë së ICO’së për veriun dhe po ashtu pranon se draftdokumenti ka rrjedhur pa dijeninë dhe autorizimin e kësaj zyre.

“ICO’ja përkrah dëshirën e institucioneve të Republikës së Kosovës për t’iu shërbyer qytetarëve në tërë territorin, duke përfshirë pjesën veriore të Kosovës. Një pjesë e propozimeve që mund të ndihmojnë arritjen e këtij qëllimi janë në diskutim të brendshëm, por duket se një pjesë nga një dokument intern është nxjerrë në publik pa autorizim”, ka thënë McGuffie.

Ai ka shtuar se qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetesës së tyre, kanë të drejtë si të gjithë të tjerët të marrin shërbimet që mund të ofrojnë institucionet kosovare.

Në bllogun e tij personal, Gerard Gallucci shkruan se gjatë muajit dhjetor, Zyra e BE’së në Prishtinë ka filluar hartimin e strategjisë së saj për vitin 2010 që do të shërbejë si bazë për politika dhe veprime të koordinuara në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas tij, dokumenti i qartëson dy plane themelore të BE’së për Veriun. Vendosjen e serbëve të Veriut nën juridiksionin e Qeverisë së Kosovës, si dhe zëvendësimin e rolit të UNMIK’ut pa Rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB’së.

Gallucci thotë se kjo strategji ka pesë qëllime kryesore:

1) Qeveria e Kosovës me përkrahësit e vet ndërkombëtarë do të krijojë një komunë të re të Mitrovicës Veriore përmes zgjedhjeve që do të mbahen kah mesi i vitit 2010, nën kornizën ligjore të Kosovës; 2) Qeveria e Kosovës do të organizojë zgjedhje lokale në tri komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok kah fundi i vitit 2010, të cilat do të funksionojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës. 4) Gjatë të njëjtit afat kohor, strukturat paralele do të margjinalizohen dhe Zyra e UNMIK’ut në veri të Mitrovicës do të mbyllet. 5) EULEX’i do të forcojë praninë e vet në tërë pjesën veriore të Kosovës dhe do të forcojë në mënyrë të dukshme sundimin e ligjit, me gjykata, polici dhe dogana më efikase në këtë pjesë të vendit.

Ai thotë se strategjia vlerëson se zhvillimet e fundit politike kanë krijuar hapësirë për bashkëpunim gradual mes serbëve veriorë dhe Prishtinës, ndërkaq Beogradi po e zbeh ndikimin e strukturave paralele në Veri si pjesë e përpjekjeve të tij për të dobësuar kryesisht zyrtarët që janë anëtarë të Partisë së Sheshelit dhe Koshtunicës, të cilët kanë fituar në zgjedhjet paralele serbe, të mbajtura në maj të vitit 2008.

Gallucci shkruan se BE’ja pranon se pengesa më e madhe me të cilën përballet plani i saj për zbatimin e Planit Ahtisaari në Veri është perceptimi se kjo kërkon që BE’ja të pranojë pavarësinë e Kosovës.

Por, sipas tij, zgjidhja e BE’së në këtë situatë do të jetë përqendrimi në përfitimet praktike të decentralizimit dhe forcimi politik i serbëve të Kosovës që kanë vullnet të bashkëpunojnë me Prishtinën.

Duke zbuluar tutje strategjinë ndërkombëtare për Veriun, Gallucci shkruan se BE’ja dhe Qeveria e Kosovës do ta bëjnë këtë duke rekrutuar serbë për Ekipin Përgatitor që do të krijonte komunën e re të Mitrovicës, e cila do të funksiononte nën Qeverinë e Kosovë. Po ashtu, do të krijohej edhe Zyra lokale për Komunitete në veri të Mitrovicës, sipas të gjitha gjasave në Lagjen e Boshnjakëve, për shkaqe sigurie. Në këtë zyrë do të vendosej Ekipi Përgatitor, por aty do të ofroheshin edhe shërbime të tjera, si për shembull, dhënia e dokumenteve të ndryshme për qytetarë.

Në planin strategjik thuhet se Qeveria e Kosovës do të shpallë zgjedhjet lokale për Komunën e Mitrovicës Veriore më së largu deri më 16 janar, në mënyrë që të respektohet afati ligjor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 16 maj.

Pas këtyre zgjedhjeve, citon Gallucci planin e BE’së, institucionet e përkohshme, duke përfshirë administratën e UNMIK’ut në Mitrovicë, do të pushonin së ekzistuari. Do të krijohej Këshilli i Përbashkët për dy komunat e qytetit të Mitrovicës si dhe një komision i pavarur për Universitetin e Mitrovicës, që të dyja këto veprime të parapara me Planin Ahtisaari.

Në ndërkohë, komunat paralele: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do të mbeten të papranuara dhe me më shumë borde këshillëdhënëse të udhëhequra nga serbë të moderuar të Kosovës, të zgjedhur nga Qeveria në Prishtinë. Deri në fund të këtij viti, edhe në këto tri komuna do të mbaheshin zgjedhjet lokale të Kosovës.

Në këtë draftdokument thuhet se BE’ja beson se zgjedhjet lokale në Mitrovicën Veriore do të shërbenin si shembull që duhet ndjekur për zgjedhjet në tri komunat e tjera veriore.

Në mënyrë që këto plane të zbatohen më lehtë, BE’ja do të përpiqet të shmangë forcimin e status quos në pjesën veriore.

“Hapi më i rëndësishëm për këtë do të ishte themelimi i së ashtuquajturës Shtëpia e BE’së në Veri, me qëllim të promovimit të perspektivës europiane dhe angazhimi i shtuar politik me forcat progresive që dëshirojnë të bashkëpunojnë me Prishtinën”, thuhet në strategjinë e BE’së, sipas ish-zyrtarit të UNMIK’ut.

Pa iu referuar Planit 6-pikësh, BE’ja synon të përmirësojë funksionimin e Gjykatës në veri të Mitrovicës, pa i dhënë hise Beogradit, për të vazhduar më pas vendosjen e kontrollit të plotë në dogana, thuhet në planin intern.

Gjithnjë duke vepruar jashtë kornizës status-neutrale, BE’ja ka planifikuar që mbledhja e të hyrave në doganat në kufijtë veriorë duhet të derdhen në buxhetin e Kosovës. Strategjia bën thirrje për progres të prekshëm deri në mesin e këtij viti.

Gallucci vlerëson se EULEX’i me siguri ka mbivlerësuar gatishmërinë e serbëve veriorë për të pranuar përfshirjen në Kosovën e pavarur si dhe që Beogradi ta pranojë këtë pa bërë zë. Nëse edhe këtë vit BE’ja dështon me strategjinë e vet në Veri ose kërcënon të përdorë forcën, atëherë, sipas Galluccit, kjo mund të jetë koha që OKB’ja të ushtrojë sërish rolin e vet duke kërkuar zgjidhje praktike për çështjet praktike që kanë adresuar në Planin 6-pikësh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›