PDK dhe LDK, presin Gjykatën Supreme

Gjykata Supreme e Kosovës ende nuk e ka përfunduar asnjërën prej apeleve të dy partive politike për procesin elektoral të Gjilanit.
Në këtë Gjykatë, PDK’ja ka bërë apelim të vendimit të KZAP’së për rivotim në Komunën e Gjilanit, ndërkaq për të njëjtën komunë disa ditë më vonë ka shkuar edhe apelimi i LDK’së për ligjshmërinë e vendimit të KQZ’së për hetim dhe rinumërim të votave.
Ekspertë të zgjedhjeve vlerësojnë se KQZ’ja është e obliguar të presë vendimet e Gjykatës Supreme për të vendosur për më tutje për votat e Gjilanit.
Ish-Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ’së, Mazllum Baraliu thotë për vendimet e Gjykatës se gjithsesi duhet t’i presë vendimet e institucioneve më të larta gjyqësore.
“Në bazë të logjikës dhe interpretimit të Ligjit, KQZ’ja duhet ta presë vendimin, qoftë nga Gjykata Supreme apo ajo Kushtetuese për apelimet e partive”, thotë Baraliu.
“Ligji shkruan se certifikimi i rezultateve nuk mund të bëhet nga KQZ’ja, pa përfunduar ankesat e partive politike”, ka shtuar ai.
Gazeta ka provuar të kontaktojë më zyrtarë të Gjykatës Supreme, por askush nuk ka qenë në gjendje të sqarojë se kur pritet të shpallet vendimi për apelimet e PDK’së dhe LDK’së.
Sipas burime brenda KQZ’së, thuhet se pikërisht vonesat e vendimeve të Gjykatës Supreme kanë shtyrë Nesrin Lushtën të abstenojë të hënën në votimin për miratimin e rezultatit përfundimtar të Gjilanit.
Ndryshe, javë më parë, KZAP’ja udhëzoi KQZ’në t’i përsërisë zgjedhjet në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. KQZ’ja respektoi vendimin e KZAP’së për Prizren dhe Lipjan, por urdhëroi rinumërimin e votave për Komunën e Gjilanit. Ky proces përfundoi javën e kaluar, mirëpo edhe rezultatet e rinumërimit të hënën nuk u aprovuan nga KQZ’ja.
Dy partitë politike, PDK’ja dhe LDK’ja, i kanë çuar duart nga KQZ’ja dhe po presin një vendim nga Gjykata Supreme, e cila është e obliguar me ligj t’i trajtojë lëndët e zgjedhjeve me prioritet.
Kandidati i PDK’së, për Kryetar të Gjilanit, Qemajl Mustafa ka thënë për Express se ende nuk kanë asnjë vendim nga Gjykata Supreme për apelimin e vendimit të KZAP’së për rivotim në Gjilan.
“Me keqardhje ju njoftojmë që Gjykata Supreme e Kosovës deri më sot, nuk na ka njoftuar se ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me apelimin tonë. Ne kemi bërë apelimin ose padinë në Gjykatën Supreme më 19 dhjetor të vitit 20009”, thotë Mustafa.
Ai përmend Ligjin për Zgjedhje, në të cilin precizohet se Gjykata Supreme është e obliguar t`iu japë përparësi.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet në Kosovë, neni 118.4 thotë se Gjykata Supreme obligohet që këtyre apeleve t'iu jap përparësi”, ka thënë Mustafa.
Edhe Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka thënë se Gjykata Supreme është e obliguar që brenda pesë ditësh të kthejë përgjigjeje në apelimet e partive politike.
Sipas tij, LDK’ja është në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme për të verifikuar ligjshmërinë e vendimit të KQZ’së për rinumërim dhe hetim.
“Nga Gjykata Supreme ende nuk kemi vendim për apelimin tonë për ligjshmërinë e vendimit të KZQ’së për hetim dhe rinumërim të votave të Gjilanit”, ka thënë Haziri për Express.