I hapen dyert në AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka hapur dyert për Fatmir Rexhepin, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryetar të Gjilanit dhe një nga figurat kryesore të kësaj partie në Anamoravë.
Mllefi që shpërtheu te Fatmir Rexhepi kur Kryesia e LDK’së vendosi t’i çojë komisionarët në Qendrën e Numërimit të Votave në ditën kur rinumëroheshin votat e Gjilanit, shtyu zyrtarët e partisë së Ramush Haradinajt që t’i bëjnë atij një ofertë për të aderuar në AAK.
Burime të Expressit thonë se gjasat janë të mëdha që Rexhepi të kalojë në AAK, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos ta shpallë fitues të garës për Kryetar të Gjilanit Qemajl Mustafën e PDK’së.
“Fatmir Rexhepi ka qenë i bindur se LDK’ja duhet ta injorojë procesin e rinumërimit të votave të Gjilanit, pasi që në të kundërtën, pranohej që të rrëzohej vendimi i KZAP’së për rivotim në Gjilan”, ka thënë një zyrtar i LDK’së në kusht anonimiteti për Express, të mërkurën.
“Por dikush në Kryesinë Qendrore të LDK’së nuk i përfilli vërejtjet e Fatmir Rexhepit dhe dërgoi disa komisionarë në Qendrën e Numërimit të Votave. Ky veprim ka qenë një goditje e rëndë për Rexhepin”, ka shtuar burimi i gazetës.
Kjo situatë ka qenë e mjaftueshme për zyrtarët e AAK’së që t’i bëjnë një ofertë Fatmir Rexhepit, megjithëse zyrtarisht drejtuesit e partisë së Ramush Haradinajt e mohojnë një gjë të tillë.
Ahmet Isufi, i cili në zgjedhjet e nëntorit nën siglën e AAK’së garoi për karrigen e të parit të Gjilanit, thotë se partia e tij mirëpret Fatmir Rexhepin në gjirin e saj, mirëpo mohon të jetë biseduar ndonjëherë për këtë çështje.
“Ka një bashkëpunim shumë të mirë me Fatmir Rexhepin, sa i përket Koalicionit AAK-LDK në Gjilan. Por se si i ka ai marrëdhëniet me partinë e tij, nuk mund të flas unë. Ato janë marrëdhënie të tyre të brendshme, që në fakt edhe nuk i di”, ka thënë Isufi për Express, të mërkurën.
Në raundin e dytë të garës për Kryetar të Gjilanit, AAK’ja doli në mbështetje të Fatmir Rexhepit.
“Në bazë të bashkëpunimit që e kemi pasur me Rexhepin dhe kolegët e tjerë deri më tash, absolutisht dyert e hapura janë për në AAK dhe për këtë ne jemi të interesuar. Çdo kuadër që ka interesim, normalisht që e mirëpresim. Por deri tani nuk kemi pasur një qasje të tillë sa i përket Rexhepit”, ka shtuar Isufi.
Edhe në LDK e mohojnë mundësinë që kandidati i tyre për Kryetar të Gjilanit, të kalojë në AAK.
Nënkryetari i LDK'së, Lutfi Haziri, i pyetur për kalimin e mundshëm të Rexhepit në AAK, tha se nuk ka informacione të tilla dhe nuk beson se një gjë e tillë mund të ndodhë.
“I keni të gabueshme informacionet”, deklaroi Haziri, të mërkurën.
“Absolutisht nuk është e mundshme që të ndodhë. Unë nuk paragjykoj dhe nuk merrem me paragjykime dhe për mua është e paqëndrueshme”, tha Haziri për Express, përmes telefonit.
Vetë Fatmir Rexhepi, ndërkaq, nuk ka dashur të flasë rreth kësaj teme.
“Kush ka thanë se po shkoj në AAK?”, ka pyetur Rexhepi.
“Jo, jo të lutem mos e përmendni emrin tim për këtë punë. Bëni ju shkrime, por emrin tim mos e përmendi. Unë jam themelues i LDK’së. Kur e bëj një gjë të tillë, unë thërras konferencë”, ka deklaruar Rexhepi për Express.
Partia e Ramush Haradinajt, AAK, ka shfaqur gatishmëri të madhe për të pranuar në radhët e saj kuadro të LDK’së. Para zgjedhjeve të vjetshme, AAK’ja mori shumë liderë lokalë të LDK’së. Pikërisht për këtë, shumëkush beson se AAK’ja edhe ia doli që në këto zgjedhje ta dyfishojë elektoratin e saj.