E Diel, 1 Nëntor 2026

Gani Malushi rivarroset tek Dëshmorët e Kombit. E shoqja: Tmerri i 6 gushtit 2003

gani-malushiTrupi i komisarit të ndjerë, Gani Malushi, prehet më në fund në Varrezat e Dëshmorëve, dhjetë vjet pas ekzekutimit të tij më 6 gusht të vitit 2003, përpara Drejtorisë së Policisë në Durrës.

Ai u shpall Dëshmor i Atdheut një vit më vonë.

E shoqja e Ganiut, Esma, thotë se është shumë e emocionuar pas këtij vendimi.

Duke folur për GSH, ajo shprehet se e ka bërë kërkesën që në muajin mars.

Jam shumë e lumtur që kërkesa ime u plotësua dhe Ganiu mund të prehet i qetë atje ku i takon.

Ndërsa duke rikujtuar ngjarjen e tmerrshme, ajo tregon: Atë ditë ishim bashkë, pimë kafen dhe do shkonte në Durrës për të dorëzuar një material. Ishte kthyer të takonte nënën dhe aty për një kohë të shkurtër u njoftua se ishte qëlluar oficeri i policisë. Unë isha te tregu, më merr një i afërm në telefon dhe më thotë: Ku është Ganiu? I thashë që iku në Durrës se ne sapo u ndamë. Por nga mënyra se si po fliste, më dukej shumë i trembur dhe i thashë më thuaj se çfarë i ka ndodhur Ganiut. Më tha që është plagosur. Nga Policia e Shtetit më thanë që po e sillnin këtu me helikopter dhe më thanë që ishte në gjendje kome. Unë e prita dhe kur erdhi helikopteri, Ganiu nuk reagonte, e futën në sallën e operacionit dhe njëherë i jepnin shpresa dhe njëherë jo. Të nesërmen ai ndërroi jetë.

E pyetur në lidhje me faktin se autori i krimit është shprehur se shënjestra nuk ka qenë Ganiu, ajo thotë: E kam thënë edhe më parë, vrasja e Ganiut është një vrasje mafioze, terroriste, sepse të sulmosh makinën e policisë në mes të qytetit, në mes të ditës, është e parapërgatitur./ep

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›