ILDKP mban sekret deklaratat e pasurisë së Berishës dhe ministrave të tij
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Lartë të Pasurive nuk dha dje asnjë afat për sa i përket kohës në të cilën pasuritë e zyrtarëve të lartë për vitin 2012 do të bëheshin publike, raporton e përditshmja Shqip.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje me rastin e hedhjes së shortit për emrat e zyrtarëve që do të kalojnë për kontroll të plotë, kryeinspektorja Zana Xhuka theksoi se ajo nuk ka dhënë urdhër për fillimin e procedurës që do të bënte të mundur publikimin e këtyre pasurive, pavarësisht se dorëzimi i formularëve nga zyrtarët e lartë ka përfunduar pesë muaj më parë.
Xhuka pyetjes së Shqip për sa i përket faktit se pse kontrolli logjik e aritmetik nuk bëhej për anëtarët e qeverisë, në mënyrë që ti hapej rrugë publikimit të pasurive të tyre theksoi se kjo procedurë do të niste sipas rendit alfabetik, pasi të mbaronte kontrolli i plotë për 400 zyrtarë. Xhuka theksoi se ky kontroll mund të bëhej dhe në vitin 2014, pasi viti i punës së këtij institucioni, nuk ishte një vit normal kalendarik, por nis në 31 mars dhe përfundonte në 31 marsin e vitit tjetër.
Nuk dihet ende se pse kjo procedurë shtyhet, por ajo që dihet lidhet me faktin se drejtuesja e këtij institucioni po i mban larg medias dhe publikut deklarimet e pasurisë së zyrtarëve të lartë për 2012-n.
Por nga ana tjetër, kryeinspektorja Xhuka duket se nuk merr parasysh as ligjin nr.9049 për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, i cili thekson në nenin 20, pika 5 se kontrolli i plotë kryhet edhe në rastet kur ka mospërputhje, që rezultojnë nga kontrolli aritmetik e logjik, të cilat tregojnë se burimet nuk mbulojnë ose nuk justifikojnë të drejtat pasurore të deklaruesit.
Kjo logjikisht të çon në argumentimin se kontrolli logjik e aritmetik, duhet ti paraprijë kontrollit të plotë dhe jo e kundërta.
Ndërkaq, ILDKP hodhi dje shortin për sa i përket kontrollit të plotë të pasurisë së 4.2% të rreth 4000 zyrtarëve që kanë detyrimin ligjor të deklarojnë pasuritë. Interesant ishte fakti se mes 196 zyrtarëve të zgjedhur nuk kishte asnjë ministër të qeverisë Berisha, apo dhe deputetë të rëndësishëm demokratë. I vetmi deputet i djathtë ishte Mehmet Xheka, i cili nuk është zgjedhur të jetë sërish deputet i PD-së në legjislaturën e re parlamentare.
Nga ana tjetër pesë deputetë socialistë do të kalojnë për kontroll të plotë. Edison Konomi, Fidel Ylli, Ben Blushi, Arben Çuko dhe Hazir Gashi u përzgjodhën nga shorti për tju nënshtruar kontrollit të plotë të pasurive të tyre.