E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara në PD, Olldashi : Kryetari i PD-së duhet të jetë në Parlament

DURRES - Sokol Olldashi deklaroi se “Partia Demokratike duhet të ndërtojë një veprim politik të strukturuar për të rrëzuar brenda dy vjetësh, mazhorancën që rithmeloi Partinë e vjetër të punës.”

Në takimet e zhvilluara në Sukth, Rrashbull dhe Kashar, Olldashi tha se Partia Demokratike nuk mund të kurdis orën dhe të qëndrojë në pritje, por duhet me urgjencë të kthejë në kapital opozitar çdo lëvizje kundër kundërshtarit politik.

“Opozita nuk është çështje numrash, opozita është çështje morali, zemre çështje intiligjence. Nëse ne me shpejtësi do t'ju japim qytetarëve shqiptarë një kartë të fortë morale, nëse ne me kurajo do t'i dalim kundërshtarit tonë përballë dhe nëse ne me inteligjence do të ndërtojmë një veprim politik të strukturuar, ne kundërshtarin tonë e rrëzojmë në përballjen e parë , pas dy vjetësh. Ne duhet të përgatitemi të rrëzojmë mazhorancën pas dy vjetësh në zgjedhjet lokale. Nuk kemi dhe nuk mund të kemi asnjë objektiv tjetër.”- u shpreh Olldashi.

Duke vlerësuar zgjedhjet në PD, si një moment historik për zhvillimet në këtë formacion, Olldashi foli për avantazhet që e sjellin konkurrues në këtë garë, duke theksuar se Kryetari i PD-së duhet të jetë në Parlament.

“Unë e njoh strukturën e Partisë Demokratike shumë mirë, sepse kam hyrë në PD si militant, sic keni hyrë ju të gjithë dhe pastaj kam ngjitur dhe kam zbritur shkallë deri sa kam arritur këtu, ku jam. Avantazhi i dytë që kam në këtë garë është eksperienca opozitare. Të gjithë ata që janë anëtarë të vjetër të Partisë Demokratike dhe militantë të vjetër, e dinë që një parti në opozitë vepron krejt ndryshe nga një parti në pushtet. Avantazhi i tretë është të qënit në Parlament. Debati politik atje e ka arenën dhe atje duhet të zhvillohet. Ne e kemi parë këto vite, kur ne kemi qenë në pushtet se sa i pabarabartë ka qenë debati në parlament. Ju të gjithë e dini që në asnjë ditë të vetme, në asnjë seancë të vetme Sali Berishën, nuk e konkurroi kush në Parlament. Sepse nuk kishte asnjë autoritet që t'i dilte përballë Berishës. Tani duhet të shikojmë inversin, aty do të jetë kryeministri i atyre dhe duhet patjetër që aty të jetë kryetari i opozitës. E fundit që është avantazh, është koha. Unë e kam të gjithë kohën në dispozicion të reformës dhe ristrukturimit të Partisë dhe Partia Demokratike në këtë moment ka nevojë për shumë kohë, sepse ka nevojë për shumë reformime dhe ristrukturime, të cilat duhet të ndiqen me precedencë.”- deklaroi Olldashi.

Në takimet përmbyllëse, Olldashi ritheksoi se grupseksionet e Tiranës duhet të kenë kompetencat e degëve për shkak të dendësisë së popullsisë. Ky format- tha Oldlashi e bën më të lehtë kontrollin e territorit elektoral në Metropolin, e populluar me afro 1 milionë banorë.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›