E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara në PS, Klosi fton socialistët të votojnë: Procesi, transparent

TIRANË- Një ditë para votimeve për zgjedhjen e kreut të Partisë Socialiste, deputeti Blendi Klosi i është drejtuar me një apel anëtarësisë socialiste që të shprehin me votë vullnetin dhe dëshirën e tyre për rrugën në të cilën duhet të ecë partia. Në një konferencë për shtyp, duke garantuar për një proces transparent, Klosi ka kërkuar nga 82 mijë zgjedhësit të hedhin votën për
liderin që duhet t'i udhëheqë ata drejt fitores së sigurt me pushtetin e korruptuar të çiftit Berisha-Meta, të cilët me votat e grabitura të 28 qershorit, po e zhytin Shqipërinë në një krizë të thellë politike e ekonomike.
"Zgjedhjet e së shtunës, 26 shtator, janë një moment që e dallon qartësisht Partinë Socialiste nga të gjitha forcat e tjera politike në vend dhe që përbën një shprehje të padiskutueshme të demokracisë së saj të brendshme, si një realitet i prekshëm nga të gjithë"- tha Klosi.
Sipas tij, nesër të gjithë socialistët duhet të votojnë për cilindo nga kandidatët në garë, duke garantuar një proces të lirë e të ndershëm, dhe duke i dhënë një shtysë të fortë përpara Partisë Socialiste në këtë moment kur politika po rrokulliset mbrapa, duke u dhënë shqiptarëve përditë shembuj të këqij të imoralitetit e të moskokëçarjes së plotë për hallet e për shpresat e tyre.
"Për një parti të fortë dhe fituese, për një opozitë të fortë dhe besnike ndaj njerëzve të thjeshtë, për një forcë politike që lufton për parime e vlera, që politika në Shqipëri po i harron e shkel dita-ditës, socialistët në 26 shtator do të tregojnë me këto zgjedhje të përgjithshme brenda partisë, se janë në lartësinë e sfidave të mëdha të kohës së vështirë që kalon sot vendi"- theksoi ai.
Klosi garantoi se procesi do të jetë transparent dhe votimi do të kryhet pranë çdo bashki dhe komune. Bëhet fjalë për 400 qendra votimi në gjithë Shqipërinë. Ftohen në votime rreth 82 mijë socialist, të cilët do të votojnë me parimin "1 anëtarë 1 votë" për kryetarin e ri. Orari i votimeve do të jetë 08.00-16.00. Ndërkohë që rezultati do të dalë nga Komisioni i Zgjedhjeve në parti.



24shtator
Gara në PS, të shtunën votojnë 82 mijë anëtarë

TIRANË- Partia Socialiste do të zhvillojë ditën e shtunë procesin e përgjithshëm zgjedhor për kryetarin e ri të partisë, në të cilin janë ftuar të marrin pjesë 82177 anëtar partie me të drejtë vote. Në këtë kuadër kjo forcë politike nëpërmjet Komisionit të Zgjedhjeve në Parti (KZP) ka marrë thuajse të gjitha masat e duhura administrative dhe organizative për të bërë të mundur që zgjedhjet e 26 shtatorit të zhvillohen brenda të gjitha kushteve që parashikon Kodi i Zgjedhjeve në Parti dhe për të mos i dhënë mundësi asnjë pale në këtë garrë që të kontestojë pjesë të këtij procesi. Për këtë qëllim pranë Partisë Socialiste gjatë ditës së djeshme ka përfunduar edhe tërheqja e materialeve zgjedhore, mes të cilave edhe të 82 mijë fletëve të votimit që do të përdoren më 26 shtator, si dhe kutitë apo edhe qëndrat e fsheta të votimit. Fleta e votimit ndryshe, nga ajo që kemi parë së fundi në zgjehdjet parlamentare, do të jetë më e thjeshtë, pasi në të do të jenë të shënuara vetëm emrat e dy kandidatëve dhe zgjedhësit do të mund të sigoljnë preferencën e tyre në kuadratin përbri emrit përkatës. Të gjithë socialistët me të drejtë vote do të votojnë në rreth 380 qëndra votimi të shperndara në çdo njesi vendore. Sipas vendimit të KZP-së çdo socialistë do mund të shprehë të shprehë preferencën e vet nëpërmjet votës, vetëm nëse paraqitet para komisioneve të qëndrave të votimit me kartën e anëtarësisë, si dhe me një nga dy mjetet e identifikimit, kartë identiteti ose pasaportë.

*******

Zgjedhjet, Rama dhe Ruçi mbledhin grupin parlamentar

TIRANË- Garantimi i një procesi votimi të lirë dhe të qetë më 26 shtator ditën kur socialistët do të shprehen me votën e tyre për të zgjedhur kreun e ri të Partisë Socialiste, ka qënë qëllimi i takimit që deputetët socialistë zhvilluan gjatë ditës së djeshme me dy krerët më të lartë të kësaj force, Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin.
Në takimin ku kreu në detyrë i PS-së Edi Rama ka qëndruar fare pak, të zgjedhurit socialistë për secilin qark kanë marrë udhëzime për të qëndruar në bazë dhe për të siguruar me autoritetin e tyre mbarëvajtjen e procesit ditën e votimit, në mënyrë që çdo socialistë të mund të shprehet i lirë dhe larg çdo ndikimi për preferencën e tij në këtë garrë. Kështu, deputetë të ndryshëm socialistë kanë konfirmuar se ka qënë pikërisht kreu i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi ai që ka udhëzuar distancimin e tyre nga çdo shprehje publike të preferencave për ndonjërin kandidat, si ushtrimin e çfarë do lloj presioni mbi anëtarësinë e partisë që në këtë rast është edhe zgjedhëse.
Gjithashtu Ruçi ka porositur deputetët socialistë që të bashkëpunojnë me strukturat e partisë në bazë për të krijuar infrastrukturën e duhur zgjedhore në mënyrë që votimi dhe procesi i numërimit që do të zhvillohet më pas të mos has vështirësi. Nderkohë që mësohet se dje dy kandidatët për kryetar të PS-së kanë mbyllur në Dibër turin e tyre elektoral ku në më shumë se dhjetë ditë ballafaquan para socialistëve në çdo qark platformat e tyre të drejtimit të partisë në katër vitet e ardhëshme. Në këtë mënyrë ka marrë përgjigje edhe ftesa publike që kandidati Maqo Lakrori i bëri para ditëve në takimin e Tiranës rivalit të tij Edi Rama për një debat televiziv midis tyre. Burime nga selia rozë kanë konfirmuar se një debat i tillë nuk do të zhvillohet dhe se tani i përket 82177 socialistëve të vendosin për platformën e cilit kandidat që do të mbështesin ditën e shtunë. Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që praktikon parimin "Një anëtar një vot" në zgjedhjet për kryetarin e partisë dhe zgjehdjet e 26 shtatorit përbëjnë praktikën e dytë, kur edhe socialistët zgjedhin nëpërmjet një procesi të tillë kryetarin e tyre.

***************



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›