E Shtunë, 31 Tetor 2026

Omonia-qeverisë: Kushte për arsimimin e minoritetit

SARANDË- Pak ditë pas nisjes së vitit të ri shkollor, Organizata e Bashkimit Demokratik të Minoritetit etnik Grek, OMONIA me qendër në Sarandë i është drejtuar me një deklaratë qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke i kërkuar plotësimin e kushteve për arsimimin e fëmijëve të këtij minoriteti. Bashkë me këtë, ajo kërkon ngritjen e një zyre të posaçme dhe shërbim përgjegjës për arsimimin e Minoriteteve.
"Viti i ri mësimor ka filluar me vështirësi e boshllëqe të mëdha, që ndikojnë në cilësinë e arsimimit të nxënësve të krahinave ku banon minoriteti grek"- thuhet në deklaratë, ku kërkohet ndërhyrje e menjëhershme në infrastrukturë, në të cilat nuk është bërë asnjë ndërhyrje.
Sipas saj, për Sarandën ka një diferencë të dukshme mes shkollave të minoritetit dhe atyre të arsimit publik. "Megjithëse në të gjitha shkollat e arsimit shqip janë kryer punime restauruese në shkollat e komunës Aliko, Livdhja e Dhivër nuk është investuar asnjë lek"- thuhet në të.
Problem tjetër është edhe shpërndarja e librave, të cilat ende nuk kanë mbërritur në duart e nxënësve.
Indiferenca e strukturave të arsimit, sipas Omonia-s, kanë çuar në mos plotësimin e rekomandimeve të faktorit ndërkombëtar dhe KE, për librat shkollorë të Historisë dhe Gjeografisë, që ato të shkruhen dhe redaktohen me një frymë tjetër. Po ashtu, shqetësues sipas saj është edhe heqja e gjuhës greke, që deri dje mësohej si gjuhë e huaj në gjimnazet e minoritetit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›