Gara për kreun e PD-së, Basha flet nga podiumi i Berishës
Prapaskenat/PD me dy standarde në prezantimin e dy kandidatëve. Zyra e shtypit e PD u dërgon mediave fjalën e Bashës, të Olldashit nuk e nisën.
Nga foltorja ku një javë më parë ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dha dorëheqjen, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha shpalli zyrtarisht kandidimin e tij për drejtimin e Partisë Demokratike. Në një fjalim të gjatë, Basha bëri një retrospektivë të Partisë Demokratike, duke vlerësuar kontributin dhe figurat kryesore të saj. Një pjesë e mirë fjalimit të Bashës kishte elozhe të shumta për kryeministrin Berisha
Deklarata
Lulzim Basha theksoi në fjalimin e tij se do të mbështetet tek vizioni dhe qëndresa e Azem Hajdarit dhe tek përvoja e ish-kryetarit, Sali Berisha. Përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri unë do të mbështetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa e themeluesve, e Azem Hajdarit, dhe qëndrestarëve të tjerë. Do të mbështetem tek përvoja e çmuar e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike sot, dhe ndër vite. Do të mbështetem tek lidershipi historik i Sali Berishës që është një pasuri e paçmueshme për Partinë Demokratike dhe projektin tonë të Fillimit të Ri. Unë besoj fort dhe do të punoj që Partia Demokratike të vazhdojë të jetë partia e zërit të qytetarëve shqiptarë, përfaqësuesja më e denjë e interesave të tyre, u shpreh Basha.
Gara
Duke u ndalur tek gara e cila do të zhvillohet mes kandidatëve për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh i gatshëm për një garë transparente, larg fyerjeve dhe përbaltjes së kundërshtarëve. Qëllimi i parë garës së ardhshme për mua është të dalim më të bashkuar dhe më të vendosur. Çdokush që e sheh këtë garë si një mundësi për të goditur, përbaltur, dhe përçarë duhet që nga ky moment të llogarisë në kundërshtimin tim të fortë dhe të prerë. Negativizmi nuk ka vend në këtë garë. Sepse ndonëse e rëndësishme, kjo garë nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi i madh është ringritja e Partisë Demokratike dhe fitorja e ardhshme, theksoi Lulzim Basha.
Basha flet nga foltorja e Berishës,
Olldashi nga foltorja e zëdhënëses
Selia e Partisë Demokratike po përdor dy standarde për sa i përket prezantimit të kandidatëve për kreun e PD. Kështu, vendimin e tij për të garuar për postin e kreut të PD, Lulzim Basha e bërë nga e njëjta foltore, ku për herë të fundit kishte dalë, ish-kreu i PD-së, Sali Berisha ndërkohë që kandidati tjetër, Sokol Olldashi përdori foltoren e zëdhënëses së PD-së për të komunikuar vendimin e tij. E duke mos u mjaftuar me kaq e gjithë deklarata e Bashës iu dërgua mediave nëpërmjet zyrës së shtypit të Partisë Demokratike ndërkohë që deklarata e shkurtër e Olldashit u mjaftua vetëm me publikimin e saj në faqen zyrtare të PD-së në internet.
Basha shkel premtimin e bërë
gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës
Me vendimin për të garuar për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha shkeli një nga premtimet e tij elektorale të bëra gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës se ai nuk do të përfshihej në çështjet partiake deri sa të ishte në drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Ky ishte një premtim të cilin Basha e theksonte fort madje duke e përdorur edhe si një argument për të sulmuar kandidatin kundërshtarin e tij, ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Por duket se pas dy vitesh, që pas atij premtimi, Lulzim Basha vendosi ta shkelte atë dukë u bërë njëri nga kandidatët i cili do të kërkojë të jetë pasuesi i Berishës në PD.
Administrata i refuzon kandidimin, Biberaj: Çështje politike
Administrata e Partisë Demokratike nuk ka pranuar dokumentacionin e kandidatit, Aleksandër Biberaj. Sipas Biberaj shkak për këtë është bërë pretendimi i administratës për sa i përket anëtarësimit të tij në PD. Vetë Biberaj tha se është tërhequr nga FRD dhe nuk e ka tërhequr asnjë herë anëtarësimin nga Partia Demokratike. Është interpretim i problemit të statusit lidhur me anëtarësinë. Ky është një vendim që i takon kryesisë. Administrata nuk më pranoi. Jam larguar nga FRD dhe nuk kam tërhequr asnjëherë anëtarësimin në PD. FRD histori e mbyllur jam rikthyer për të dhënë kontributin tim, u shpreh Biberaj. Aleksandër Biberaj e quajti këtë si një çështje politike e cila bëhet për ta penguar atë që të garojë për postin e kreut të PD. Mua nuk më ka përfunduar anëtarësia, kjo është një çështje politike për të më penguar, unë dëshiroj të futem ne gare, por vendimi i takon kryesisë. Sot duhet te jemi të bashkuar se kundërshtarit im nuk është në PD, por majta. Unë nuk e kam dëmtuar PD dhe nuk kam bashkëpunuar me PS, unë nuk e kam sulmuar PD, por e kam kritikuar. Rezultati i 23 qershorit tregoi se po të ishin marrë kritikat e mija situata do ishte ndryshe, tha Biberaj. Në përfundim, Aleksandër Biberaj tha se do ti dërgojë sërish dokumentacionin nëpërmjet postës, dhe më pas do të jetë kryesia e PD ajo që do të vendosi për kandididimin ose jo të tij.
Kreu i ri i PD, shpall kandidimin
atentatori i bustit të Stalinit
Një emër tjetër i shtohet garës për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për Bujar Nallbanin personi i cili në mars të viti 1990 i vuri dinamitin bustit të Stalinit i vendosur në atë kohë pranë hotel Dajtit në Tiranë. Nallbani e bëri zyrtarizmin e tij pranë selisë së Partisë Demokratike ndërsa u shpreh i zhgënjyer nga lënia në harresë e njerëzve të cilët kanë dhënë një kontribut të madh për PD-në. Duke u ndalur tek kandidatët e tjerë të cilët janë zyrtarizuar deri më tani për postin e kreut të PD, Nallbani tha se rivali i tij më i fortë në këtë betejë është, Sokol Olldashi. Çuditem sesi njerëz të tillë që kanë një radhë në kandidim të lihen në harresë, dhe të zhvendoset vëmendje tek një i kollarisur. Natyrisht kanë dhënë kontribute te tyre njerëz të mrekullueshëm si Sokol Olldashi dhe të tjerë, por dhe nuk duhet te lihemi ne harresë. Rivali im më i fortë është Sokol Olldashi, deklaroi Ilir Nallbani. Nallbani njihet si një nga nismëtarët e nisjes së lëvizjes Demokratike në Shqipëri.