E Shtunë, 31 Tetor 2026

E Djathta e Berishës mban premtimin për rritjen e pagës minimale

04-07-2013 / Gazeta 55

Javën e ardhshme, Këshilli i Ministrave pritet të kalojë vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për përcaktimin e pagës minimale, për të gjithë punonjësit e administratës. Kryeministri Sali Berisha deklaroi paga minimale e punonjësve të administratës do të rritet me 11.3 %. “Me këtë vendim, duke përfshirë edhe heqjen që i kemi bërë për nivelin nën 30 mijë lekë të tatimit mbi të ardhurat personale, paga minimale e punonjësve të administratës, të cilët janë një numër i vogël, gjithsej 1 përqind, rritet me 11.3 përqind. Cili është interesi i këtij vendimi? Vendimi ka një interes shumë më të madh sesa për punonjësit e administratës që, siç e thashë, është 1 përqind. Interesi është i madh, sepse në përputhje me konventën 26 të ILO-s, Organizatës Botërore të Punës, kjo rrogë bëhet e detyrueshme për të gjithë punëdhënësit, shtet ose jo shtet, në Republikën e Shqipërisë. Pra, rroga minimale në çdo vend përbën një detyrim ligjor për të gjithë. Në këtë rast përfitues nuk janë 1 përqind e rrogëtarëve, por një përqindje shumë më e lartë, pasi përfshihet edhe sektori privat që është i detyruar ta ndjekë këtë. Vendimi ka edhe një rëndësi tjetër, pasi në një mënyrë përmirësohet raporti i pagave brenda piramidës së administratës”- u shpreh kryeministri. Shefi i ekzekutivit njoftoi se javën e ardhshme, qeveria kalon vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve. “Siç jeni njohur me premtimin para zgjedhjeve, javën tjetër vjen vendimi për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ky vendim është vendim i mandatit katërvjeçar që po mbaron dhe në asnjë mënyrë nuk mund të mbetet pa u mbajtur, siç është dhënë. Fjalë e dhënë, fjalë e mbajtur” - deklaroi kreu i qeverisë Berisha.
Guxholli: Pagat e pensionet rriten deri në 5 %. Vendimi hyn në fuqi më 15 korrik/Katër deri në pesë përqind do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve për këtë vit. Këshilltarja e Kryeministrit për Ekonominë, Zana Guxholli thotë se rritje më të lartë do të përfitojnë pagat minimale dhe të gjitha kategoritë e pensioneve. Vendimi hyn në fuqi më 15 korrik, ndërkohë që shtesa e pagës dhe pensionit do të merret për të gjithë muajin korrik. Efekti financiar i rritjes së pagave është 1 miliardë lekë, ndërsa i pensioneve 1.5 miliardë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›