E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, ndjesë që s’përfshin në vendim 10 % shqiptarë të hershëm që jetojnë në Greqi

04-07-2013 / Gazeta 55

Qeveria miraton vendimin për dhënien e shtetësisë shqiptare për qytetarët me origjinë shqiptare me banim në vendet e tjera. Kabineti “Berisha” u ofroi kështu bashkëkombësve të vet, atë që shtetet e tjera e kanë bërë vite më parë

Vendimi i qeverisë bën të mundur shtetësinë shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare që jetojnë me dokumente të rregullta apo kanë marrë shtetësi në një nga vendet e zonës “Schengen” apo vendet me të cilat BE aplikon regjimin e lëvizjes së lire pa viza (për tre muaj) si Norvegjia, SHBA, Kanadaja etj. Ky vendim nuk aplikohet për shtetasit e Republikës së Kosovës me banim në Kosovë, kjo pasi BE ka hapur negociatat me Kosovën për liberalizimin e vizave, proces ky thelbësor për integrimin në BE
Kryeministri: Në Greqi 10% e popullsisë janë shqiptarë/Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për dhënien ose fitimin e shtetësisë shqiptare për qytetarët me origjinë shqiptare me banim në vendet e tjera. Vendimi përcakton procedurat për dhënien ose fitimin e shtetësinë shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare që jetojnë me dokumente te rregullta apo kanë marrë shtetësi në një nga vendet e zonës “Schengen” apo vendet me të cilat Bashkimi Europian aplikon regjimin e lëvizjes së lirë pa viza si SHBA, Kanadaja etj. Ky vendim nuk aplikohet për shtetasit e Republikës së Kosovës me banim në Kosovë. Kryeministri u shpreh se Bashkimi Europian ka hapur negociatat me Republikën e Kosovës për liberalizimin e vizave dhe është interesi i tyre jetik dhe i Kosovës që problemi i vizave me BE të zgjidhet në mënyrën më procedurale, në respekt të plotë të udhërrëfyesit që Brukseli i ka dorëzuar autoriteteve të Kosovës për liberalizimin vizave. “Në këtë mbledhje ka një seri vendimesh, ndër të cilat vendimi që u bllokua prej më shumë se 4 muajsh, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të Shqipërisë. Ky vendim ka të bëjë me procedurat për njohjen dhe fitimin e shtetësisë shqiptare nga persona me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës, të cilët janë shtetas të një shteti të pavarur dhe për të cilët, qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk ka dhe nuk mund të ketë autoritet pa një marrëveshje midis dy qeverive dhe për faktin se Kosova është tani në një proces shumë të shëndetshëm, pas firmosje së marrëveshjeve me Serbinë në Beograd, të cilat ne i kemi mbështetur plotësisht si marrëveshje historike jo vetëm midis këtyre dy vendeve, por për rajonin në tërësi. Me këtë akt, Shqipëria është vendi i fundit që u ofron bashkëkombësve të vet atë që të tjerët ia kanë afruar vite e vite më parë, në rajon. Ky akt nuk duhet të konsiderohet nga askush si një akt tjetër, veçse në interesin më të mirë të shqiptarëve, të paqes dhe stabilitetit ku ata janë”- u shpreh kryeministri Berisha. Ai theksoi se janë qindra mijëra shqiptarë, të cilët për shkak të kundërshtive me regjimin komunist emigruan në vendet e lira dhe pothuaj asnjë prej tyre nuk gëzon shtetësinë shqiptare. “E vërteta është se ligji ekzistues parashikon fitimin e vetvetishëm të shtetësisë dhe bëhet fjalë për këta qytetarë, por asnjëherë nuk u përcaktuan procedurat. Në favor të marrjes së vetvetishme të shtetësisë, pra, pa dekret presidencial, të këtyre qytetarëve kanë vendosur edhe gjykatat e vendit, të cilat i kanë legjitimuar atyre në çdo rast, kërkesën, pa pasur nevojë të dekretohet shtetësia e tyre. Këta janë kategoria e shqiptarëve, pasardhësit e të cilëve jetojnë në vende të ndryshme të Europës apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Kanada, por që shtetësia ka mbetur një mollë e ndaluar për ta, për shkak të burokracisë, ngathtësisë, mefshtësisë dhe pse jo, dozave të caktuara të mentaliteteve të vjetra ndaj tyre”- tha ai. Jam i bindur, tha kryeministri, se ky faktor do t’i shërbejë forcimit të mirëkuptimit, bashkëpunimit me vendet fqinjë. “Ky vendim është një qëndrim i drejtë, tepër i vonuar, vendim  që e kisha dekretuar në 17 korrik të vitit 1992. Dekreti presidencial në atë kohë përfshinte edhe Kosovës, e cila ishte nën pushtimin e Millosheviçit. Ata, të cilët bërtasin se do të na zbrazen trojet, të marrin e të shohin sesa shtetësi u kërkuan pas dekretimit në vitin ’92”. Berisha ngarkoi ministrinë e Jashtme dhe atë të Brendshme të marrin të gjitha masat, të instalojnë në datën 1 gusht, në të gjitha pikat e parashikuara në këtë vendim, shërbimin për aplikimin e qytetarëve me origjinë shqiptarë për fitimin e shtetësisë shqiptare. “Natyrisht, për shqiptarët që nuk e fitojnë në mënyrë të vetvetishme siç parashikon ligji ekzistues, ne duhet të respektojmë ligjin, pavarësisht se ai mund të ketë nene që janë absolutisht të papajtueshme me materien kombëtare, por do të respektohet siç është”. Ndërkaq, kreu i qeverisë solli në vëmendje se as ky vendim nuk u jep përgjigje diasporave të hershme shqiptare si arvanitasit dhe arbëreshët. Në këtë sens, Berisha tha se vetëm në Greqi 10% e popullsisë janë shqiptarë, por në mediat greke nuk ka as edhe një emision të vetëm në shqip. “Me këtë vendim nuk i jepet ende përgjigje diasporave të hershme shqiptare, arvanitasit dhe arbëreshët. Por ky është një proces në vazhdim. Nuk mund t’u mohohet, por tani për tani vendimi parashikon këto. Diasporat, arvanitasit në Greqi dhe arbëreshët në Itali kanë shekuj që japin një kontribut të madh historik në këto vende mike, apo diaspora jonë në Turqi që është dy herë më e madhe se popullata shqiptare. Ne po ecim drejt Bashkimit Europian dhe faktikisht me anëtarësimin në BE, këto probleme marrin zgjidhjen më përfundimtare. Shqipëria është një vend që nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi tjetër. Natyrisht, shqiptarët do të jetojnë të integruar plotësisht në BE, ata që do të vlerësojnë situatën e tyre. Një gjë është e sigurt, progresi që kanë bërë shqiptarët është i jashtëzakonshëm. Është po kaq e sigurt se përsëri është e domosdoshme një progres më i madh i tyre. Mjafton të theksoj të se sot në Greqi, pothuaj 10 përqind e popullatës janë shqiptarë dhe në mediat greke nuk ka as edhe një emision të vetëm në shqip. I theksoj këto se çështja e lirive dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve është dhe duhet të jetë një problem për t’u shtyrë përpara, në përputhje me marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare. Shqiptarët kanë arritur shumë. Kjo është e vërtetë e pamohueshme. Shqiptarët kanë shumë arsye të persistojnë për të drejta më të mëdha aty ku janë, në përputhje me konventat, për të mundur të ruajnë identitetin e tyre kulturor e kombëtar si shtetas luajalë të vendeve ku jetojnë.
Zgjedhjet e ardhshme, emigrantët me të drejtë vote – ata që frikësohen janë albanofobë/“Për zgjedhjet e ardhshme, ata që kanë frikë nga vota e tyre, t’i proporcionojnë, pasi edhe rregulli i proporcionimit ekziston dhe e përdorin shumë vende, sikurse shumë vende përdorin votën direkte. Si të bien dakord forcat politike, se ato japin zgjidhje, por një gjë është e sigurt se frika nga vota e shqiptarëve është forma më e egër e albanofobisë. Kjo nuk duhet të ketë mëdyshje. Ai që ka frikë nga vota e qytetarit me origjinë shqiptare, ai ka një substancë në vetvete, është albanofob, është shqiptar i denatyruar si i tillë. Proporcioni është logjik dhe ka vende që e përdorin atë. Forcat politike po të duan të ulen, pasi nuk mund të ecet me hipokrizi. Emigracioni duhet të votojë, siç voton në të gjithë botën. Silvio Berluskoni para pak vitesh humbi zgjedhjet për shkak të votave të italianëve në Argjentinë. Natyrisht, kjo bëhet në dy mënyra, proporcion ose direkt”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›