Gara presidenciale në Francë ndizet/ De Villepin gati të kandidojë

Më pak se tetë muaj para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, gara politike në Francë po intensifikohet, ndërsa emrat e mundshëm dhe kandidatët zyrtarë kanë nisur të pozicionohen.
Ish-kryeministri Dominique de Villepin është gjithnjë e më pranë shpalljes së kandidaturës së tij. Në një intervistë për BFM TV, politikani konservator deklaroi se do ta konfirmojë pjesëmarrjen në garë sapo të nisë zyrtarisht fushata elektorale.
De Villepin, i cili drejton partinë “La France Humaniste” dhe ka shërbyer si kryeministër gjatë presidencës së Jacques Chirac, tha gjithashtu se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake.
Sipas tij, një proces i tillë “nuk është mënyra e duhur” për të përcaktuar kandidatin presidencial dhe e cilësoi atë si një zgjidhje të fundit për një kamp politik në vështirësi.
Në kampin socialist, ndërkohë, Olivier Faure, sekretari i parë i Partisë Socialiste, pritet të hyjë zyrtarisht në zgjedhjet paraprake të së majtës.
Faure ua ka komunikuar vendimin deputetëve socialistë dhe pritet ta bëjë publik edhe në një dalje televizive.
De Villepin ka rezervuar kritikat më të ashpra për Édouard Philippe, ish-kryeministër dhe drejtues i partisë Horizons, i cili tashmë është futur në garën presidenciale.
Ai e akuzoi Philippe se po i hap rrugë Marine Le Pen me propozimet e tij për kufizimin e emigracionit, veçanërisht në territorin francez të Mayotte.
Philippe ndërkohë është mbështetur publikisht nga ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, i cili e ka cilësuar atë si “mik të tij prej njëzet vitesh”.
Në qendër të skenës politike mbetet edhe Gabriel Attal, ish-kryeministër dhe kandidat i partisë së Rilindjes. Ai deklaroi se nuk e ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në një proces paraprak.
Debati për një kandidat të përbashkët të qendrës dhe së djathtës ka marrë gjithashtu hov. Mbi 200 politikanë francezë kanë nënshkruar një shkrim në “Le Figaro”, ku kërkojnë organizimin e zgjedhjeve paraprake për të identifikuar një kandidat të vetëm që mund të përballet me të majtën dhe të djathtën ekstreme.
Ndërkohë, në kampin e së majtës, Raphaël Glucksmann, një nga rivalët kryesorë të Olivier Faure, ka vijuar sulmet ndaj Jean-Luc Mélenchon dhe LFI-së.
Glucksmann tha se Mélenchon ka kaluar “të gjitha kufijtë e pranueshëm” dhe bëri thirrje që e majta demokratike të distancohet nga ata që, sipas tij, “mbjellin kaos”.
Me përplasjet brenda së majtës, rivalitetin në qendër dhe riorganizimin e së djathtës, zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027 pritet të shndërrohen në një nga garat më të forta politike në Evropë.