E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis takimi Kurti-Abdixhiku/ Kreu i Lëvizjes së Vetëvendosjes: Kemi mundësi reale për marrëveshje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë nisur takimin e radhës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, çështje që vazhdon të jetë në qendër të negociatave mes dy partive.

Para takimit, Kurti u shpreh optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se ekziston vullnet politik nga të dyja palët.

“E kemi vullnetin e mirë, i kemi mundësitë reale. Tash po ecim përpara siç po e shihni dhe urojmë të mbërrijmë në një marrëveshje”, deklaroi Kurti para mediave.

Ky është takimi i radhës mes Kurtit dhe Abdixhikut, pas disa raundeve të diskutimeve që deri tani nuk kanë prodhuar një marrëveshje konkrete.

Çështja e presidentit konsiderohet vendimtare për tejkalimin e ngërçit institucional në Kosovë, ndërsa vëmendja tash është përqendruar te rezultati i takimit të sotëm.

Nëse palët arrijnë pajtueshmëri, kjo mund t’i hapë rrugë zhbllokimit të procesit institucional. Në të kundërtën, kriza politike mund të vazhdojë edhe më tej.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›