Garancia Rinore, Gonxhja: Të rinjtë deri në 29 vjeç mund ta shndërrojnë pasionin në profesion

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Të rinjtë po mbështeten për të hyrë në tregun e punës përmes programit të Garancisë Rinore, një qasje e re e Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale historinë e Migenës, e cila falë Garancisë Rinore, mbështetur nga Bashkimi Evropian, arriti ta kthejë pasionin e saj në profesion.
“Ashtu si Migena, çdo i ri shqiptar nga 15 deri në 29 vjeç mund të përfitojë nga kjo mundësi për të marrë trajnim, orientim dhe mbështetje për punësim”, u shpreh Gonxhja, teksa publikoi linkun ku mund të aplikohet për Garancinë Rinore: https://garanciarinore.puna.gov.al/punesimi.
Ndërsa vetë Migena tregon se ka mbetur shumë e kënaqur nga kursi që ndoqi për fotografinë, që siç shprehet ajo e ka ndihmuar shumë për pjesën profesionale dhe ka mësuar shumë programe që nuk i dinte më parë.
“Me fondin që mora nga Garancia Rinore, unë bleva pajisjet që më duhen për biznesin tim që kam ngritur në fushën e fotografisë dhe tani unë i marr vetë të ardhurat e mia duke punuar si fotografe, apo duke bërë video muzikore”, tha Migena.
/r.e/a.f/