Riparimi i Pallatit të Sportit në Përmet, Kumbaro: Pol i rëndësishëm për aktivitetet sportive dhe kulturore

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Në Përmet vijon puna me ritme të shpejta për riparimin e Pallatit të Sportit, për ta kthyer në një hapësirë dinjitoze për sportistët dhe sportdashësit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se Pallati po kthehet në një vepër dinjitoze.
“Vetëm pak muaj më parë, me Almën inspektuam nisjen e punimeve për rilindjen e Pallatit të Sportit në Përmet i cili dita-ditës, nga një kantier po kthehet në një vepër dinjitoze, me hapësira bashkëkohore siç sportistët, sportdashësit, të rinjtë dhe fëmijët e këtij qyteti e meritojnë duke krijuar një tjetër pol të rëndësishëm për aktivitetet sportive dhe kulturore në qytet”, deklaroi Kumbaro.
Riparimi total i Pallatit të Sportit është një nga prioritetet e bashkisë, për të ofruar kushtet e nevojshme bashkëkohore për ekipin kampion të qytetit në basketboll dhe për gjithë lojtarët e sportdashësit.
Pas përfundimit të punimeve të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ofrohen kushte më të mira, me mjedise cilësore dhe funksionale për zhvillimin e ndeshjeve, stërvitjen e sportistëve, punonjësve apo profesionistëve të tjerë, që ushtrojnë aktivitetet e tyre në këtë godinë.
Riparimi i Pallatit të Sportit ka për synim gjithashtu krijimin e infrastrukturës bashkëkohore për ta vendosur sportin në qendër të edukimit të fëmijëve dhe për nxitjen e aktiviteteve sportive për të gjitha grup-moshat. /j.p/
1 nga 10