E Enjte, 5 Nëntor 2026

Garancia Sovrane për bujqësinë, Rama: Bashkitë dhe fermerët të aplikojnë me projekte për qendra grumbullimi

TIRANË, 8 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama nxiti sot bashkitë e Pukës, Fushë Arrëzit dhe Mirditës që të hartojnë projektin për ndërtimin e qendrës së grumbullimit të produkteve bujqësore, ndërsa siguroi se qeveria do ta mbështesë me fondin e Garancisë Sovrane për bujqësinë.

Rama iu përgjigj kryebashkiakut të Pukës, Rrok Dodaj, i cili në takimin e organizuar sot me përfaqësuesit e pushtetit vendor shprehu shqetësimin për mungesën e investimeve nga qeveria qendrore në sektorin e bujqësisë dhe në infrastrukturë.

“Ju kam thënë bëhuni ju promotorë të iniciativave të përbashkëta me fermerët. Bëni projektin e qendrës së grumbullimit të produkteve që keni atje, krijoni një kompani bashkia me fermerët me një kapital sa ta keni ju të mundur dhe më sillni projektin. Ne do t’ju mbështesim me fondin e Garancisë Sovrane për bujqësinë që ju të ndërtoni qendrën”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se nga mbledhja e organizuar në Shkodër me kryebashkiakët kanë kaluar 7 muaj dhe ende nuk ka një projekt për ta mbështetur.

“Kjo vlen për të gjithë dhe është e habitshme që nuk ka projekte të tilla akoma. Ju kam thënë, çdo lloj pozicioni ushtarak që kemi nëpër territor, reparte dhe që nuk është një vend ku ka raketa si në Tepelenë apo avionë luftarakë siç kemi në Përmet ose të tjera materiale të rënda, merreni bëni projektin dhe krijoni agroturizëm ku bashkia të jetë pjesë me partnerë lokalë atje, ose me investitorë potencialë edhe jashtë vendit. Nuk ka ardhur një projekt i tillë”, tha Rama.

Kryebashkiaku i Pukës shprehu po ashtu shqetësimin për amortizimin e fasadave të 11 pallateve, ndërsa theksoi se për këtë ka aplikuar edhe pranë FSHZH-së për mbështetje.

“Një projekt është te Fondi i Zhvillimit, është në listën aktuale, kur të konfirmohet plotësisht do ta marrësh lajmin dhe do të fillojë puna atje”, tha Rama.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›