E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Rritje e sipërfaqes së zonave të mbrojtura, por në të kaluarën është ndërtuar shumë dhe keq

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha se, “sipërfaqja e zonave të mbrojtura sot është rritur në 25% të territorit, shifër kjo mbi mesataren europiane. Por për fat të keq përpara se ne të bënim një frenim të konsiderueshëm, është ndërtuar shumë dhe keq në zona e mbrojtura”.

Në takimin sot në Kryeministri me të zgjedhurit vendorë për disa tema të rëndësishme të bashkëpunimit në interes të komunitetit, Rama theksoi se “së pari duhet bëri një ndarje e qartë se kush ka qenë aty prej kohësh dhe kush ka ardhur dhe ka ndërtuar aty në shkelje të ligjit të zonave të mbrojtura. Është e paimagjinueshme për mua që ata që kanë pasur shtëpitë e katragjyshërve nuk kanë akoma hipotekën, në Theth p.sh procesi në pjesën më të madhe është mbyllur, tani është zona tjetër ku po merremi”.

Sipas tij, zonë e mbrojtur nuk do të thotë që është vetëm për ujqërit dhe kaprojt, ata që kanë qenë aty, kanë qenë.

“Pjesa tjetër është më problematike, sepse shtëpitë e ndërtuara rishtazi aty rrezikohen si pronë, por duhet gjetur mënyra sesi të balancohet midis mundësisë që i jep siguri  investimit që ka bërë, por edhe mundësisë që të pastrojmë pika të caktuara në zonat e mbrojtura që rrisin kapacitetin e vet ekonomik, pikërisht pse ajo është një zonë e mbrojtur duke u dhënë mundësi të gjithë këtyre njerëzve që të marrin shtëpi në një pikë tjetër”, tha ai.

Rama u shpreh se sot nuk e kemi përgjigjen e saktë si të garantojmë interesin e çdokujt  që ka shtëpi aty por dhe të mos i presim rrugën në të ardhmen shtetit shqiptar, që do të jetë më i fuqishëm se sot dhe detyrimet me ndryshimet e klimës vetëm do të shtohen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›