E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, dy vjet nga vdekja e Bekim Fehmiut

Bekim Fehmiu

PRISHTINË – Sa herë që vizitonte Kosovën i qëndronte besnik një vendi. Aty kalonte pjesën më të madhe të kohës, duke pirë kafe e cigare. Holli i kinemasë së vetme të kryeqytetit është mishëruar me emrin e aktorit më të madh shqiptar. Madje edhe dy vjet pas vdekjes, ai vazhdon të mbetet këndi i tij. Miqtë, familjarët e kolegët që duan ta kujtojnë Bekim Fehmiun në 2-vjetorin e vdekjes, janë drejtuar në adresën e zakonshme. Kinemaja ABC sot (e premte), në mesditë hapi dyert për gjithë ata që donin të nderonin aktorin me nam. Të njëjtën gjë, kinemaja bëri edhe vitin e kaluar.

Por asnjë institucion tjetër kulturor nuk ka paralajmëruar se do të përkujtojë përvjetorin e dytë të vdekjes së Fehmiut.

Milazim Salihu, mik i ngushtë i aktorit të ndjerë, njëherësh drejtor i kompanisë për distribuimin e shfaqjen e filmit Genci, ka thënë së përkujtimi do të jetë i zakonshëm.

Sikur edhe vitin e kaluar, ne do të pimë një kafe për Bekimin në kinema, ka thënë Salihu.

Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha, në mungesë të ndonjë aktiviteti për shënimin e 2-vjetorit të vdekjes së Bekim Fehmiut, ka gjetur një arsyetim.

Meqë kinemaja në njëfarë forme është marrë me këtë gjë, ne nesër do të shfaqim baletin Dashuria që vret, për të kujtuar këtë përvjetor, ka thënë Berisha. Shfaqja e baletit Dashuria që vret, me koreografi të Ilir Kernit, ka qenë pjesë e programit të TKK-së që nga fillimi i muajit, kur është publikuar lista e shfaqjeve që do të jepen në muajin qershor.

Vitin e kaluar Teatri Kombëtar i Kosovës kishte qenë pritës i homazheve për aktorin shqiptar me famë botërore.

Kinemaja ABC nuk ka dërguar asnjë njoftim për shënimin e dyvjetorit të vdekjes së Bekim Fehmiut e as nuk ka paralajmëruar nëse të pranishëm do të jenë edhe familjarët e aktorit. Në ditën e dytë të qershorit në kinemanë e vetme të kryeqytetit, një ditë pas datës kur do të duhej të ishte ditëlindja e 76-të e Fehmiut, në Kosovë është hapur ekspozita Bekim Fehmiu – pasuria e humbur në heshtje, e cila në janar ishte hapur edhe në Pejë. E pranishme në hapjen e ekspozitës, që përmes fotografive shpërfaq jetën e veprën e Fehmiut, ka qenë edhe gruaja e tij, Branka Petriç, në ekspozitën që kishte lindur si pjesë e një projekti më të gjerë me emrin Dialogu, kujtesa dhe elaborimi i konfliktit, i cili realizohet në Bosnjë, Kosovë dhe Serbi me qëllimin që të promovohet trashëgimia e përbashkët kulturore, por edhe për krijimin e kushteve për vendosje të dialogut në mes të bashkësive që jetojnë në këto hapësira. Pasi është mbyllur në kinema, ekspozita do të vazhdojë turneun në disa vende brenda dhe jashtë Kosovës.

Aktori i madh shqiptar i ka dhënë fund jetës së tij, më 15 qershor të 2010-s në banesën e tij në Beograd. Ai kishte lënë të shkruar në një letër amanetin për ceremoninë e pasvdekjes. Kishte kërkuar që ti digjet trupi dhe hiri i tij të hidhet në Lumëbardhin e Prizrenit. Aktori i madh kishte kërkuar që ceremonia përkujtimore për nder të tij në Kosovë të mbahet në kinemanë ABC. Bekim Fehmiu është një nga artistët më të mëdhenj që ka nxjerrë Kosova, duke luajtur në më shumë se 40 filma, deri në vitin 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playelit, ku luante Leninin dhe Stalinin, në Teatrin Jugosllav të Dramës në Beograd. Këtë e kishte bërë në shenjë proteste ndaj propagandës antishqiptare.

(M.A.)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›