E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gardisti Agim Llupo, dyshime për vrasjen e Hekuran Dedës

TIRANE - Dyshimet se gardisti Agim Llupo, është ekzekutor edhe i demonstruesit Hekuran Deda me 21 janar, duket se janë shtuar së tepërmi.
Prej muajsh, gardisti ndodhet prapa hekurave nën akuzën e vrasjes së gjirokastritit Ziver Veizi, shumë pranë derës kryesore të godinës së Kryeministrisë, por tashmë ai është nën hetim edhe për vrasjen e dytë të ndodhur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pak metra larg godinës së kryeministrisë.

Një burim i prokurorisë tha dje se ka dyshime që vrasja e Hekuran Dedës të jetë kryer nga efektivi i Gardës Agim Llupo. Natyrisht pohoi burimi, për shkak se në trupin e viktimës nuk është gjetur plumb, pasi ka qenë tejshpues është mjaft e vështirë të përcaktohet arma nga e cila është qëlluar. Por, në ndihmë të hetuesve në këtë rast kanë ardhur dëshmitë e disa personave, emrat e të cilëve nuk bëhet të ditur, që kanë pohuar se vrasja e Hekuran Dedës është kryer nga personi që ndodhej në një nga dritaret e katit përdhes të godinës së kryeministrisë.

Duke iu referuar planit të masave të Gardës ne 21 janar, gjatë demonstratës së opozitës së Bashkuar, rezulton se në këtë pozicion, ku referohen dëshmitarët ka qenë i vendosur gardisti Llupo, ndaj për këtë fakt, dyshohet të jetë pikërisht ai personi që ekzekutoi Hekuran Dedën, edhe pse zyrtarisht ndaj tij nuk ka asnjë akuzë konkrete.
Sa i përket vrasjes së Aleks Nikës, prokuroria është në dilemë për shkak të faktit se plumbi i gjetur në trupin e tij është tejet i dëmtuar dhe nuk mund të përcaktohet arma nga është qitur. Edhe pse më herët prokuroria e Përgjithshme tha se plumbi që i është hequr Nikës ka ngjashmëri me atë të gjetur në trupin e viktimës Ziver Veizi.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›