Garë e fortë për Gjilanin

Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës, janë duke shkuar drejt fundit, pasi shumica e degëve i kanë përfunduar ato, përjashto dy degë të Anamoravës, atë të Gjilanit dhe të Vitisë. Garë e fortë pritet të ketë në degën e Gjilanit, edhe pse kandidaturën për kryetar të saj deri tani e ka shpallur vetëm kryetari aktual Izmi Zeka. Por jashtë kësaj gare nuk mund të thuhet se janë edhe tre kandidatë tjerë seriozë nga kjo anë, siç janë kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, dhe deputetët Zenun Pajaziti dhe Nijazi Idrizi.
Koordinator i zgjedhjeve në PDK, Barsi Musmurati, ka konfirmuar për gazetën “Lajm” që zgjedhjet në degën e kësaj partie në Gjilan do të mbahen më 12 janar, ndërsa në Viti ende nuk është përcaktuar një datë për fillimin e zgjedhjeve edhe pse ka vetëm edhe dy javë nga kongresi i përgjithshëm i kësaj partie.
“Ne i kemi edhe dy degë pa i përfunduar zgjedhjet, degën e Gjilanit, në të cilën zgjedhjet do të mbahet më 12 janar, janë bërë të gjitha parapërgatitjet e nevojshme, aty ka më shumë se një kandidat. Atë ditë sigurisht nuk do të zgjidhet kryetari sepse ka më shumë kandidatë, do të zgjidhet këshilli i degës, delegatët për kongres e pastaj këshilli i degës mblidhet dhe e zgjedh kryesinë”, ka thënë Musmurati.
Ai ka thënë se shtyrja e mbajtjes së zgjedhjeve në këtë degë të PDK-së është bërë për shkak të festave të fundvitit dhe sipas tij, po ashtu konkurrenca e fortë ka bërë që ky proces të shtyhet.
“Është shtyrë edhe për shkakun që kemi pasur zgjedhje dhe konkurrencë shumë të fortë, në të gjitha pikëpamjet, edhe sa i përket numrit të kandidatëve edhe sa i përket kualitetit edhe sa i përket angazhimit dhe këto kanë marrë kohë më shumë”, ka theksuar Musmurati.
Sipas tij, PDK-ja vetëm në nëntë degë ka pasur zgjedhje të kryetarit me aklamacion, në 25 degë ku deri më tani kanë përfunduar zgjedhjet.
“Nga këta 25, vetëm 11 janë rizgjedhur, ndërkaq 14 tjerë janë kryetarë që kanë marrë këtë pozitë për herë të parë”, ka thënë Musmurati.
Ndërsa kandidatët për kryetar të Gjilanit, kanë deklaruar se dëshirojnë që të zgjidhen në këtë post jo përmes aklamacionit, por përmes një gare korrekte.
Kryetari aktual i degës së PDK-së në këtë qytet, Izmi Zeka, ka konfirmuar për portalin rajonal të lajmeve 2lonline.com, se do të jetë kandidat për këtë pozitë.
“Unë mund të flas vetëm për veti. Jam kandidat për kryetar Dege, kurse për ambiciet e tjerëve nuk di çka të them”, ka thënë Zeka./Indeksonline/