Garland emëron një prokuror special për të hetuar dokumentet e Biden

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, caktoi të enjten një këshilltar special për të hetuar praninë e dokumenteve me shenja të klasifikuara, të cilat u gjetën në shtëpinë e Presidentit, Joe Biden në Wilmington, Delaware, dhe në një zyrë në Uashington.
Njoftimi për këtë emërim pason pranimin nga Biden sot në mëngjes se një dokument me shenja të klasifikuara nga koha e tij si zëvendës president, u gjet në bibliotekën e tij personale, së bashku me dokumente të tjera të gjetura në garazhin e tij.
Garland tha se avokatët e Biden informuan Departamentin e Drejtësisë të enjten në mëngjes për zbulimin e një dokumenti të klasifikuar në shtëpinë e presidentit, pasi agjentët e FBI-së morën për herë të parë në dhjetor, dokumente të tjera nga garazhi. Të hënën u zbulua se dokumente të ndjeshme u gjetën në zyrën e ish-institutit të tij në Uashington.
Robert Hur, ish-prokurori amerikan i emëruar nga Trump në Maryland, do të drejtojë hetimin, bashkë me prokurorin e lartë të Departamentit të Drejtësisë në Çikago, John Lausch, i cili më parë ishte caktuar nga departamenti për të hetuar çështjen dhe që i rekomandoi Garland javën e kaluar që të caktonte një hetues të posaçëm. Hur do të fillojë së shpejti punën e tij. Apnews
/rtsh.al/