Gary Oldman, rikthim në skenën e vjetër

Por, këtë herë, duket se ka vendosur që sërish pas mungesës, siç e ka zakon tashmë, të lërë një gjurmë, që nuk do të harrohet lehtësisht. Filmi me të cilin mund të marrë edhe një çmim “Oskar” titullohet “Tinker Tailor Soldier Spy” dhe është një përshtatje e librit të John Le Carre. Ai ka qenë në Britaninë e Madhe filmi i tretë më i suksesshëm pas “The Kings Speech” dhe “The Inbetweeners”.
Është një film që shkon pas në kohë, në vitin 1970, në Londër, në baret dhe lokalet e zonës. Është terreni i përshtatshëm për ngjarjet e Luftës së Ftohtë, i populluar me agjentë të fshehtë, të dyfishtë. Gary thotë se ka qenë një përvojë shumë emocionuese interpretimi i personazhit të veçantë, i cili endet mes një mjedisi të mjegullt, të pakuptimtë dhe shpesh dramatik e të paqartë siç është mjedisi i botës së spiunazhit gjatë viteve të Luftës së Ftohtë. Ai është nga ata aktorë që e merr shumë seriozisht jo vetëm lojën dhe aktrimin e njohjen e personazhit, por mbi të gjitha spektatorin. E trajton atë si shumë të rritur dhe të ditur dhe me shumë respekt. Ai e di se nuk është nevoja që gjatë gjithë kohës të jetë një aktor “me bojëra”. Ai ka kurajën e një aktori me përvojë që gjatë lojës të jep copëza, pjesëza të vetes, fragmente unike të një lidhjeje të fshehtë mes njerëzve, edhe pse të ndryshëm në fate, të ngjashëm në karaktere dhe tipologji.
Në vitet e hershme, Oldman, ndryshe nga ajo që transmeton tani me lojën e tij, ka dhënë karaktere të nxehtë, shpërthyes pra një spektër krejt tjetër. Ai ka lindur në jug të Londrës dhe është djali i një babai që pinte shumë dhe që kishte eksese prej të pirit. Me këtë, ia bëri atij jetën të vështirë që në vitet e parë të jetës.
Shpëtimin, Oldman e gjeti tek arti. Fillimisht u dha pas muzikës, për ta braktisur atë shumë shpejt dhe u përpoq që të aktronte. Provoi skenën dhe më pas edhe përvojën e televizionit në disa seriale, të cilat ishin shumë interesante dhe të ndjekura, por ai nuk është se shkëlqeu shumë. Më pas erdhën edhe debutimet në disa filma, që sot në fakt janë harruar si “Prick up Your Ears”. Në fund të dhjetëvjeçarit të parë të karrierës së aktrimit, kishte përfunduar për aktorin edhe “mbretërimi” i çrregullit” dhe kjo u duk në filmin “Brit Pack”, në të cilin morën pjesë disa interpretues që do të bëheshin të famshëm në llojin e vet dhe në kohën e përshtatshme. Mes tyre, ishte edhe Tim Roth dhe Daniel Day-Lewis.
Përgjatë rrugës ai ka interpretuar role të ndryshme që kanë lënë gjurmë kryesisht për pasionin, forcën e gjallërinë. Sipas kritikës, ai ka qenë gjithmonë në aktor me një dinamikë të veçantë, me një prezencë skenike të jashtëzakonshme dhe misterioze herë pas here. Oldman ka qenë që në fillim krejt i ndryshëm nga aktorët e tjerë britanikë të epokës së tij. Më pak i arsimuar, më shumë i natyrshëm, më primitiv dhe i vërtetë. Kur tentoi për herë të parë që të shkonte në audicion, u pëlqeu përzgjedhësve, pikërisht për shkak të prezencës së tij të vërtetë, ndryshe nga ajo e stisur shpesh e të tjerëve. E rëndësishme është fakti se ato cilësi që e bënë të famshëm në fillim, nuk u reduktuan me kalimin e kohës, përkundrazi u fermentuan, si ajo vera e mirë, edhe pse aktori ka dalje të rralla në skenë, që kur vendos të shfaqet, e bën duke lënë gjurmë.
Ai ka qenë dhe mbetet një aktor altruist, që përfshihet tërësisht në rol dhe këtë përfshirje e ka një ndër standardet e tij më të larta. Për njëfarë kohe, Oldman u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kaloi vite të tëra dhe u adoptua me vendin dhe me Hollivudin, studio me të cilën ka interpretuar disa role të rëndësishme të karrierës, edhe pse, po sipas tij, jo gjithnjë më të mirët. Por kjo periudhë ka qenë edhe e vështirë sepse pati drama personale, si përfshirja në alkoolizëm, apo divorci me bashkëshorten e parë. Menjëherë më pas, pati relata me disa nga gratë më të bukura të kinemasë së kohës si Uma Thurman, Isabella Rossellini dhe Donya Fiorentino.
Është koha kur realizoi “Dracula” dhe “JFK”, e më pas edhe “Leon”, “True Rmance” etj. Viti 1997 e gjeti me një përvojë tjetër shumë interesante, vetëm se këtë herë, pas kamerës. Ai iu rikthye pasionit të vjetër për të shkruar vitet e fundit “Goldman” e për të drejtuar një film. Këtë herë ishte “Nil”, portreti i një babai alkoolist dhe abuziv në Londër, një portret që Oldman e njihte fatkeqësisht shumë mirë. Vitet e fundit ka marrë pjesë në “Harry Potter” dhe “Batman”, dy filma të famshëm, edhe pse roli i tij ka qenë i vogël.
Oldman thotë se dëshiron që këtë herë të risjellë një film të shkruar dhe drejtuar sërish nga ai vetë. Për çfarë bëhet fjalë? Është një surprizë, që ndoshta do të fitojë edhe një “Oskar”.