E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati axhenda e punës për ministrat

Ministrat nisin nga puna për të përmbushur detyrat e fundit të progres-raportit të KE-së. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka nisur zbatimin e porosisë së Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë për ndërtimin e kalendarit të detyrave për çdo ministri. Drejtorët më të rëndësishëm të disa ministrive kanë mbushur ditët e fundit zyrat e Ministrisë së Integrimit për të përgatitur axhendën e punës së qeverisë për muajt në vazhdim, të cilat e lidhin atë me liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat në BE. Zyrtarët e lartë kanë raportuar në Ministrinë e Integrimit dhe më pas kanë marrë edhe informacionin e nevojshëm për kompetencat e tyre në muajt në vazhdim. Kryeministri Berisha ka bërë me dije se progres-raporti do të jetë një program pune për ministrat e kabinetit të tij. Kreu i qeverisë i kërkoi ministres së Integrimit të ndjekë shembullin e një viti më parë për t‘u dhuruar anëtarëve të kabinetit një kalendar me shënimet e të gjitha detyrave që çdo ministri duhet të bëjë që shqiptarët të përfitojnë nga liberalizimi i vizave dhe Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Në këta kalendarë, do të përcaktohet në mënyrë të detajuar "detyrat e shtëpisë" për çdo anëtar kabineti, duke i caktuar edhe afatin mujor. Në një mënyrë të thjeshtë, ministrja Bregu duhet të përgatisë një kalendar ku do të shënohen të gjithë muajt e vitit kur duhet të miratohen aktet ligjore e nënligjore të domosdoshme për kryerjen e reformave. Kalendari nuk do të jetë gjë tjetër veçse një axhendë pune për çdo ministri. Kjo axhendë pritet të jetë në tryezën e përditshme të punës së ministrave. Pas hartimit, është hedhur ideja që kopjet e axhendës të mund të shpërndahen edhe për qytetarët dhe për zyrtarët e rangjeve të tjera, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndjekin axhendën e integrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›