Gati kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat
Integrimi i vendit në BE përbën edhe një nga sfidat më madhore me të cilat qeveria është zotuar se në bazë të përmbushjes së reformave Shqipëria pretendon që shumë shpejt të marrë statusin e vendit kandidat për në familjen evropiane. Shefi i ekzekutivit shqiptar Sali Berisha vuri në dukje dje se “kërkesën për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet ta bazojë në një proces negocimesh dhe jo në veprime të njëanshme surprizë, të cilat janë të panevojshme”. Këtë deklaratë Kryeministri Berisha e bëri gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit, e cila kishte si synim “shqyrtimin e përmbushjes së kërkesave që ka shtruar raport-progresi i vitit 2007 për qeverinë shqiptare”. Sipas Kryeministrit, kërkesat e raportit nuk i drejtohen vetëm qeverisë, ndaj dhe institucionet e tjera shtetërore duhet të analizojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me kërkesat e raportit, të cilat kanë si synim konsolidimin e kritereve të Kopenhagenit, partneritetit europian dhe standardeve europiane. “Sigurisht që pjesa më e gjerë është ajo që i adresohet qeverisë dhe agjencive të varura prej saj. Përmbushja e detyrimeve të deritanishme dhe në vazhdim për periudhën 2-3 mujore, do të jetë objekt i një analize nga stafet e Komisionit Europian, mbi bazën e së cilës do të hartohet raporti i progresit për vitin 2008”, tha Kryeministri, duke kërkuar që të bëhet një rivlerësim i realizimit të prioriteteve afatshkurtra dhe afatmesme, si dhe një analizë e shqyrtimit të të gjitha kapaciteteve institucionale për procesin e integrimit. Më tej, sipas tij, rëndësi të madhe ka zhvillimi, përsosja dhe konsolidimi i këtyre kapaciteteve. Duke u ndalur te stadi i ri drejt së cilit po ecën Shqipëria, Kryeministri Berisha u shpreh se “vendi do të kërkojë statusin e kandidatit dhe kjo është një dëshirë e çdo shqiptari”. “Unë kam mirëkuptim të plotë edhe për insistimin e opozitës që Shqipëria ta paraqesë këtë kërkesë në muajin shtator, por opozita është opozitë dhe është shumë pozitive që ajo shprehet ose zotohet që do të mbështesë reformat e nevojshme për të paraqitur kërkesën për statusin e kandidatit”, tha Kryeministri. Në këtë kuadër, Kreu i qeverisë u shpreh se “ky vendim duhet të diskutohet me opozitën, por duhet të diskutohet edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe kryesuesit e radhës të Komisionit Europian, pra nuk mund të jetë një vendim i njëanshëm”. “Nuk është e preferueshme që të ecet në mënyrë të njëanshme. Alternativa e negocimit të momentit, të kohës dhe ujdia për të do të ishte një praktikë më e suksesshme dhe më serioze, pasi ne kemi një bashkëpunim luajal me BE-në dhe me Komisionin Europian”, u shpreh në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha.