E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati marrëveshja me OSBE për zgjedhjet në veri

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë për “Epokën e re” se delegacioni i Kosovës në Bruksel dhe ai i OSBE-së janë në prag të arritjes së marrëveshjes, e cila ka për qëllim lehtësimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka bërë me dije se as të mërkurën nuk është arritur ndonjë rezultat në takimet ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë me Bashkimin Evropian për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 19 prill. Ajo ka treguar për “Epokën e re” se gjatë ditës zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë mbajtur takime të ndara me delegacionin e Kosovës dhe atë të Serbisë, ku kanë biseduar për çështjet e integrimit të gjykatësve serbë në institucionet e Kosovës, si dhe për zhbërjen e strukturave paralele në veri.

“Në agjendë kanë qenë çështjet e drejtësisë, por gjatë gjithë ditës kemi pasur takime bilaterale në mes nesh dhe Bashkimit Evropian. Si duket edhe BE-ja po zgjedh metoda të ‘shatell diplomacisë’, pra ata po bisedojnë veç me palën serbe dhe veç me palën kosovare. Kështu që, gjatë gjithë ditës kemi biseduar për çështjet e integrimit të gjykatësve serbë në institucionet e Kosovës, si dhe për zhbërjen e strukturave paralele në veri. Por, pavarësisht kësaj, nuk ka ndonjë rezultat konkret përveç përparimeve që janë bërë në proces”, ka deklaruar Tahiri, duke shtuar se edhe sot (e enjte) do të vazhdojnë bisedimet për zhbërjen e strukturave ilegale, si dhe për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Bisedimet do të vazhdojnë edhe sot (e enjte) për çështjet e drejtësisë, përkatësisht për gjyqësinë, për çështjet e sigurisë, për zhbërjen e strukturave paralele, si dhe për çështjen e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Tahiri.
Zëvendëskryeministrja Tahiri ka treguar se delegacioni i Kosovës në Bruksel dhe ai i OSBE-së janë në prag të arritjes së marrëveshjes e cila ka për qëllim lehtësimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri.

Ajo ka thënë se në takimin e së mërkurës janë biseduar të gjitha aspektet për një organizim sa më të mirë të zgjedhjeve në veri.

“Kemi pasur një takim bilateral me delegacionin e OSBE-së, duke qenë se OSBE-ja ka një rol lehtësues në zgjedhjet lokale në Kosovë në katër komunat në pjesën veriore. Kemi pasur një takim të gjatë pune, ku kemi biseduar për të gjitha aspektet e përgatitjes sa më të mirë të zgjedhjeve lokale. Sigurisht nëpërmjet ndihmës së OSBE-së do t’i përballojmë këto sfida, pasi për herë të parë po organizojmë zgjedhje lokale në këto katër komuna”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka bërë me dije se gjatë këtyre ditëve pritet edhe konkretizimi i marrëveshjes për zgjedhje në mes të delegacionit të Kosovës dhe atij të OSBE-së. “Gjatë këtij takimi kemi përparuar në atë që pritet të jetë një marrëveshje në mes të OSBE-së dhe delegacionit tonë për rolin lehtësues të OSBE-së. Por, bisedimet do të vazhdojnë edhe sot (e enjte), pasi është një temë shumë komplekse, ajo e organizimit të zgjedhjeve. Fakti që rreth 14 vjet nuk ka pasur zgjedhje në atë pjesë paraqet shumë sfida. Prandaj ka shumë çështje për t’i definuar në kuptimin e angazhimit të OSBE-së në këtë proces”, është shprehur Tahiri. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›