Osmanët ishin pushtues nga fillimi deri në fund

Periudha e Perandorisë Otomane ka qenë pushtim nga fillimi deri në fund. Kjo është bindja dhe qëndrimi i historianëve shqiptarë, transmetoi AS. Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta dhe historiani Romeo Gurakuqi kanë kundërshtuar historianët turq duke argumentuar se faktet dëshmojnë që shqiptarët kanë qenë vazhdimisht të shtypur dhe janë detyruar të bëjnë luftë të përgjakshme për 500 vjet.
"Turqit në Ballkan dhe në Shqipëri kanë ardhur si pushtues e do të thoja se shqiptarët kanë bërë luftrat më të përgjakshme me kostot më të larta në historinë e tyre si popull. Nuk mund të përdoret qenia e disa nëpunësve shqiptarë që ishin një minorancë. Nuk përfaqësonin interesat e kombit shqiptar. Ata ishin thjesht nëpunës otomanë. Turqit sigurisht kanë qenë timoni drejtues, forca , pesha e kësaj perandorie. Këtë nuk e vë në dyshim askush"- tha Meta.
"Shqipëria ka qenë për pesë shekuj e pushtuar nga perandoria osmane. Gjëja e parë që duhet bërë është ndarja e një shteti të së kaluarës me një shtet aktual- sot. Bëhet fjalë për një pushtim të mirëfilltë"- tha Gurakuqi.
Sa i takon pretendimit të historianëve apo Qeverisë Turke për rishikim të historisë shqiptare mbi periudhën e Perandorisë Otomane, studiuesit pranojnë se debatet shërbejnë, por historia duhet të thotë të vërtetën.
"Qeveria turke nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në historiografinë e një vendi tjetër. Kanë gjithë të drejtën e zotit të debatojnë me të gjitha termat e parametrat. Pastaj sa të sakta janë dhe sa të pasakta do të dali nga rezultatet e këtij debate"- tha Meta.
"E vetmja ndërhyrje që mund të jetë e pranueshme është zbatimi I kritereve shkencore. Do të duhet të jemi të kujdesshëm në heqjen e termave pezhorativë në qoftë se do të ekzistojnë"- tha Gurakuqi.
Pavarësisht ndasive që kanë historianët shqiptarë për periudha të ndryshme të historisë përfshirë edhe atë Otomane, të gjithë bien dakord se në tekste ka nevojë për ndryshimin e disa terminologjive të vjetruara që përdoren ende. /Indeksonline/