E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për Bienalin e Romës

Tre artistë nga Kosova do të marrin pjesë në Bienalin e XV-të të Artistëve të Rinj të Evropës dhe Mesdheut, që do të mbahet prej 16 deri më 18 dhjetor në Romë. Paraprakisht, ata do të paraqiten sonte (e premte) në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor.

Shota Bukoshi, Arbër Selmani dhe Liburn Jupolli janë tre artistë të rinj, që u takojnë fushave të ndryshme të artit, të cilët do të marrin pjesë në Bienalin e XV-të të Artistëve të Rinj të Evropës dhe Mesdheut.

Ky Bienal ka filluar në Selanik, do të vazhdojë, prej datës 16 deri më 18 dhjetor, në Romë për të përfunduar në Casablanca. Por, fillimisht, ata do të paraqiten në Prishtinë në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor.

“Puna e Shota Bukoshit (kinematografi), Arbër Selmanit (letërsi) dhe Liburn Jupollit (muzikë) do të shfaqet në ngjarjen e dytë të Bienalit që mbahet në Romë, Itali prej 16 dhjetorit deri me 18 dhjetor 2011, në MACRO – Museo d'Arte Contemporanea di Roma - XV Biennale de la Mediterranee”, thuhet në një njoftim të kësaj qendre.

Në të thuhet se Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor synon që përfaqësimi i artit dhe kulturës që krijohet në Kosovë por edhe pjesëmarrja e punëtorëve të rinj në art e kulturë në Bienalin e XV-të të Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mesdheu të shënojë një kthesë domethënëse në përfaqësimin ndërkombëtar të praktikave të reja artistikë të kësaj skene.

Shota Bukoshi është skenariste, regjisore, producente dhe menaxhere kulturore, e lindur në Prishtinë. Kreu studimet e regjisë pranë Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës në vitin 2008. Ajo krijoi gjashtë filma të shkurtër dhe një film dokumentar, i cili u shfaq në shumë festivale kombëtare dhe botërore dhe me të cilin fitoi gjashtë çmime në festivalet ‘Dokufest’ (Prizren), ‘Tirana International Film Festival’ (Tiranë), ‘One World ­ human rights festival’ (Prishtinë), ‘Young, short & ambitious’ (Vjenë), ‘Skena Up Festival’ (Prishtinë).

Në Stacion do të prezantohen dy punët e saj ‘Dy rrëfime dashurie’ dhe ‘Aureola e shthurur’, të cilat do të shfaqen edhe në Bienalin e XV-të të Artistëve të Rinj të Evropës dhe Mesdheut.

Ndërkaq, Arbër Selmani punon si gazetar i kulturës. Atij i pëlqen të shkruajë dhe nuk e kufizon vetën në tema. ‘Çka nuk të vret, të bën më të fortë...!’ është titulli i shkrimit të

cilin Selmani e ka shkruar për Bienalin.

Liburn Jupolli i takon një fushe tjetër të artit. Ai kompozon që nga mosha 12 vjeçare. Ai aktualisht studion në Fakultetin e Arteve, departamenti i muzikës/kompozim, në Universitetin e Prishtinës. Ai ka kompozuar muzikë për teatër, animacione, dhe instrumentistë nga Kosova dhe Evropa. Ai gjithashtu punon në instrumente, shpikje dhe dizajne të reja.

Jupolli do të paraqitet në teatrin Oda ku do të prezantojë një pasqyrim mbi filmat dhe muzikën ‘horror’, zhvillimin e stilit dhe prezantim muzikor në instrumentin e tij të ri ‘octo’.

Pjesëmarrja e artistëve nga Kosova në Bienalin e XV-të të Artistëve të Rinj

të Evropës dhe Mesdheut 2011/2012 është mbështetur, midis tjerash, edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Punëve te Jashtme si dhe Komuna e Prishtinës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›