E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për BunkerFest

Dy vjet më parë, derisa po punonin me një grup holandezësh një dokumentar për bunkerët në Shqipëri, një grupi të rinjsh nga Tirana u ra ndërmend që “Kërpudhave të betonit” - siç i quajnë ata bunkerët - duhej t’i ndryshohej destinimi. Një festival i muzikës dukej zgjidhja më e mirë për ta bërë këtë, ndërsa një dokumentar do të pasqyronte gjithë ngjarjen.

M 8 dhe 9 shtator, në Tiranë mbahet edicioni i tretë i festivalit të muzikës BunkerFest, ndërkohë që po bëhen përgatitjet që edhe shumë kosovarë të vërshojnë Tiranën.

Zhuljeta Cima, një nga organizatorët e këtij festivali, sqaron se bunkerët janë pjesë e historisë së Shqipërisë, e bindur se ata tashmë janë shndërruar në simbol të shtetit që po mbush një shekull pavarësi.

“Për t’iu dhënë njëlloj rëndësie këtyre monumenteve, ne duhet t’i përdorim ato sa më shumë. Sot njerëzit janë mësuar t’i shohin kudo, qoftë edhe nëpër bahçe shtëpish, andaj edhe nuk të bëjnë ndonjë përshtypje”, thotë Cima. “Qëllimi ynë është dhënia e një vlere ndryshe nga ajo për çka janë ndërtuar”, shton ajo.

Cima tregon se dokumentari i punuar me holandezët, përveç dokumentimit të një numri të- madh bunkerësh në Shqipëri, kishte në shënjestër edhe “ripërdorimin” e tyre. Disa bunkerë të ndërtuar në kohën e komunizmit janë shndërruar në bare, në “shitore tatuazhesh”, madje edhe në hotel.

“Pas suksesit të edicionit të parë vendosëm që festivali të mbahet çdo vit, por në lokacione të ndryshme. Natyrisht, gjithmonë aty ku ka bunkere”, thotë Cima.

Edicioni i tretë mbahet në fshatin Pezë, afro 30 minuta larg Tiranës.

“Sivjet kemi ftuar grupe dhe Dj nga rajoni, të cilët për dy ditë do të performojnë muzikë ‘non stop’”, sqaron Cima, e cila nuk dyshon se edicioni i sivjetmë do të shkojë mirë.

Nga ana tjetër, Flutura Ibrahimi po merret me promovimin e festivalit në Kosovë. Ajo beson se shumë të rinj kosovarë do t’ia mësyjnë Tiranës në shtator. Flutura ka një përvojë personale me bunkerët.

“I përjetoja si shumë të vrazhdë, dhe kisha njëlloj frike nga ta. Tash s’e kam më atë ndjenjë, sepse i kam prekur dhe kam ndenjur në ta”, thotë ajo. “Bunkeri po afron njerëzit që janë pjesë e historisë së tyre”, përfundon Flutura.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›