E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për grushte

Të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë prej orës 15:00, do të mbahet turneu i boksit me karakter ndërkombëtar, ‘Pavarësia’, që organizohet nga Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK) për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Zyrtarët e FBOXK-së kanë pohuar se janë kryer të gjitha përgatitjet e duhura për mbarëvajtjen e këtij turne, në të cilin përveç boksierëve kosovarë, do të marrin pjesë edhe boksierë të tjerë nga vendet e rajonit.

“Në këtë turne do të marrin pjesë 23 boksierë dhe do të zhvillohen rreth dhjetë meçe. Përveç boksierëve të Reprezentacionit të Kosovës, në këtë turne do të marrin pjesë edhe boksierë nga Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Sanxhaku”, tha drejtori i reprezentacionit të Kosovës, Xhevdet Peci, të martën në një konferencë për media të mbajtur në kryeqytet.

Në anën tjetër, përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Mehmet Haxhani, tregoi se nuk do të ketë mundësi ta mbajë një grumbullim me boksierët kosovarë, të cilët do të ngjiten në ring në këtë eveniment, për shkak të mungesës së mjeteve financiare. “Boksierët janë duke stërvitur nëpër klubet e tyre dhe trajnerët e tyre më kanë njoftuar se janë në formë të mirë”, ka thënë Haxhani.

Fatulme Ahmeti (60 kg), Shkëlqim Muja (57 kg), Liridon Zeqiri (60 kg), Arian Gashi (64 kg), Nazmi Kurteshi (64 kg), Milot Shabani (69 kg), Avni Atashi (69 kg), Kadri Murseli (75 kg), Burhan Zenali (75 kg), Bujar Sejdiu (81 kg) dhe Mehmet Asllani (91 kg) janë boksierët të cilët do t’i mbrojnë ngjyrat e reprezentacionit kosovar në këtë turne.

Kurse nga Sanxhaku do boksojnë Haris Colakoviç (64 kg) dhe Fakis Gorceviç (69 kg). Për Shqipërinë do të boksojnë Serxho Sima (64 kg), Alban Bermeta (75 kg), Shkëlqim Bega (75 kg) dhe Fatjon Sorra (91 kg).

Ndërkaq, Mali i Zi do të prezantohet nëpërmjet Vaso Klisiçit (69 kg), Dragan Roganoviçit (75 kg) dhe Nikola Vujoviçit (91 kg). Dhe, ngjyrat e reprezentacionit maqedonas do t’i mbrojnë këta boksier: Suada Sadikova (60 kg), Ali Feredi (57 kg), Mustafa Ibrahimi (60 kg) dhe Fuad Emërllahu (81 kg).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›