“Gati të njohim shtetin palestinez”, Izraeli hedh poshtë qëndrimin e Britanisë së Madhe

Izraeli ka reaguar pas njoftimit të Mbretërisë së Bashkuar se do të njohë në mënyrë të njëanshme shtetin palestinez përgjatë këtij viti nëse Izraeli angazhohet për vendosjen e një armëpushimi në Gazë dhe për arritjen e një procesi paqësor afatgjatë.
Sipas Ministrisë së Jashtme izraelite, “zhvendosja në pozicionin e qeverisë britanike në këtë kohë, pas lëvizjes franceze dhe presioneve të brendshme politike, përbën një shpërblim për Hamasin dhe dëmton përpjekjet për të arritur një armëpushim në Gazë dhe një kornizë për lirimin e pengjeve”.
Njoftimi i kryeministrit britanik Keir Starmer për njohjen e mundshme të shtetit palestinez erdhi një ditë pasi Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Parisi do të njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator.
Paralajmërimi i Starmerit vjen në mes të një presioni ndërkombëtar në rritje për njohjen e shtetësisë palestineze.
Starmer thirri të martën ministrat për një takim të rrallë kabineti gjatë verës për të diskutuar situatën e përshkallëzuar në Gaza. Ai theksoi se Britania do ta njohë shtetin e Palestinës përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por vetëm “përveç nëse qeveria izraelite ndërmerr hapa thelbësorë për t’i dhënë fund situatës së tmerrshme në Gaza, arrin një armëpushim, e bën të qartë se nuk do të ketë aneksim në Bregun Perëndimor dhe angazhohet për një proces paqeje afatgjatë që ofron një zgjidhje me dy shtete”.
Kryeministri britanik nuk kurseu kërkesat as për Hamasin, duke theksuar se grupi duhet “të lirojë të gjithë pengjet, të bjerë dakord për një armëpushim, të pranojë që nuk do të luajë asnjë rol në qeverinë e Gazës dhe të angazhohet për çarmatim”.
Starmer bëri të qartë se qeveria e tij do të vlerësojë në shtator “se sa larg palët i kanë përmbushur këto hapa” përpara se të marrë një vendim përfundimtar për njohjen.
/rtsh.al/