Gati vendimi i qeverisë edhe për uljen e TVSH-së për turizmin
Berisha mban premtimin për rimbursimin e TVSH-së për fermerët
Qeveria shqiptare vendosi dje për rimbursimin e TVSH-së për fermerët. Kryeministri Berisha tha se kjo masë fiskale merret në kuadër të reformave të shpallura për mbështetjen e fermerëve dhe nxitjen e prodhimit bujqësor, ndërsa njoftoi edhe uljen e TVSH-së për industrinë turistike. “Në zbatim të premtimeve të dhëna, të reformave të shpallura, sot vendosim për rimbursimin e TVSH-së për fermerët. Zoti Ruli, edhe hekurin për serat. Nuk duhet të krijojmë konfuzion, duhet ta kemi shumë të qartë se 70 përqind e serës është hekuri dhe ne u zotuam për gjithçka ka të bëjë me prodhimin”- u shpreh kryeministri. Duke u ndalur te nisma e radhës e qeverisë, për uljen e TVSH-së për turizmin krahas lehtësirave të tjera në këtë funksion, Berisha tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur nga kjo qeveri. “Pasi hoqëm taksën prej 10 euro për pasagjerët që udhëtojnë me charter, si kërkesë e operatorëve turistikë, tani do të ulim TVSH-në e industrisë turistike në tërësi. Do ta bëjmë këtë jo vetëm se e premtova në takimin me operatorët turistikë, të cilët bënë diskutime shumë të përgjegjshme e dhanë mendime shumë të vyera, por e vërteta është se kjo degë është degë kryesore e ekonomisë sot. Ky hap i rëndësishëm do të jetë një lehtësim i madh për ekonominë. Prodhimi bujqësor, që është rritur me shpejtësi, sigurisht si destinacion ka eksportin dhe eksporti i perimeve është rritur 2-3 herë, por edhe konsumin e brendshëm si një faktor tjetër shumë i rëndësishëm. Dhe 4.7 milionë turistë e vizitorë padiskutim nënkupton një rritje të madhe të konsumit”- theksoi ai.
Gjithashtu, shefi i ekzekutivit kërkoi nga ministri i Brendshëm që tu vihet në dispozicion njësive vendore, vendimi i Këshillit të Ministrave për ndryshimet e miratuara lidhur me rregulloren e urbanistikës. “Kryetarët e komunave nuk e kanë marrë ende dhe e presin me padurim. Ata kanë marrë dy vendime të tjera dhe janë shumë të kënaqur me to. Kryetari i komunës Hajmel tha se me autoritetin që u është dhënë në administrimin e tokës kanë mundësi shumë të mëdha të ecin drejt politikave zhvillimore. Janë vënë në dispozicion të tyre sipërfaqe të tëra. Vendimi i fundit, ndonëse ata e marrin në fletoren zyrtare, duhet t’ia nisim me shpejtësi, direkt me postë, që të fillojnë nga puna, sepse një kryetar komune në Korçë tha se kishte katër kërkesa për frigorifer, por kishte ato pengesa që ne i zgjidhëm në mënyrë përfundimtare”- theksoi ai.
Sektori i akuakulturës do të përfitojë nga lehtësitë fiskale të njëjta si fermerët/”Sektori i peshkimit do të jetë përfitues si edhe fermerët në tërësi, i lehtësive fiskale me heqjen e TVSH-së për ushqimin për fermat e akuakulturës dhe mjetet e peshkimit, sikundër do të veprohet si me fermerët edhe për akcizën e naftës”. Kështu u shpreh dje kryeministri Berisha në mbledhjen e përjavshme të qeverisë, duke u shprehur se është domosdoshmëri hartimi i planit kombëtar për peshkimin dhe peshkëzimin, i cili do t’u japë përgjigje problematikave të këtij sektori, ndërsa bëri prezent shqetësimet e dala nga takimi i një dite më parë me peshkatarë dhe sipërmarrës në industrinë e detit. Kryeministri kërkoi edhe rishikimin e procedurës së daljes në det të flotës së peshkimit, duke e konsideruar praktikën aktuale si qëndrim i së kaluarës. “Në listën për lehtësitë fiskale duhet të përfshihet peshkimi, ushqimi për fermat e akuakulturës dhe mjetet e peshkimit. Ne kemi shpallur se do të hartojmë një plan kombëtar për peshkimin. Peshkatarët i konsiderojnë miliarderë, ndryshe nuk shpjegohen ato tarifa ankorimi, regjistrimi e me radhë. Edhe ato të gjitha të shkojnë në proporcionin duhur. U duhet një mijë euro për të ankoruar anijen, kur atyre u ndodh të dalin tre ditë në det dhe të mos sjellin asgjë dhe ndërkohë u duhet të paguajnë një mijë euro për ankorimin. Ky është një problem që do të shikohet në kompleks dhe duhen një seri masash. Ne do të bëjmë gjithçka që ta nxjerrim këtë sektor në vendin që meriton. Një vend që ka 400 kilometra vijë bregdetare, liqene e ujëra që sëbashku përbëjnë mbi 50 përqind të territorit tokësor, një vend që ka 600 rezervuare dhe 300-400 të tjerë me hidrocentralet që po ndërtohet, duhet të ketë një riorganizim total të peshkëzimit. Peshkatarët m’u ankuan shumë edhe për policinë, pasi për të dalë në det duhet të vendosen në rresht. Do të shihet e gjithë procedura. Nuk duhet të kemi qëndrimet e vjetra ndaj tyre se mos arratiseshin. Këtë punë mund ta bëjë kapitenia, ku ata marrin edhe lejen. Atëherë përse duhet kontrolli i policisë?! Se mos kalojnë kufirin?! Kjo është një praktikë e vjetër, ndaj të rishihet plotësisht. Të marrim praktikat e vendeve të tjera si Italia. Në 20 vjet është mbajtur një qëndrim absolutisht i pamerituar ndaj tyre, përveç një gjesti që ne kemi bërë para dy vjetësh, për ta. Ky sektor është një potencial shumë i madh në të gjitha aspektet. Ne do t’i lehtësojmë ata, do t’i heqim TVSH-në si fermerëve, për të gjitha mjetet që ata përdorin për peshkim. Akcizën, po ashti njëlloj si fermerëve. Deri tani, ky sektor nuk është parë objektivisht dhe ata i ngritën dje, këto çështje, me objektivitet. Duhet plani kombëtar i akuakulturës në tërësi dhe ne duhet të parashikojmë një ridimensionim shumë të madh të këtij sektori”, theksoi kryeministri.
...