E Diel, 1 Nëntor 2026

Gaz kundër shkollës së vajzave. Talebanët helmojnë 80 fëmijë

Afganistan Sulmi është pranuar nga ekstremistët islamikë që janë kundër emancipimit të grave

Më shumë se 80 vajza janë helmuar me gaz në shkollën e tyre në Kunduz, në veri të Afganistanit. Kështu ka raportuar kreu i policisë vendase, duke cilësuar si përgjegjës të sulmit talebanët. Dihet që ekstremistët islamikë janë kundër shkollimit të femrave. Shumë prej tyre u ka rënë të fikët, të tjerat kanë dhimbje barku, marrje mendsh dhe të vjella. Kur ishin në pushtet në Afganistan mes viteve 1996 dhe 2001, talebanët ndaluan çdo formë të shkollimit të femrave dhe kjo çështje mbeti e diskutueshme në pjesën më të madhe të Afganistanit. Atentate të ngjashme me ato të djeshme janë zhvilluar në pjesë të ndryshme të vendit, edhe aty ku prezenca talebane është më e dobët. Në javën e shkuar ka kujtuar Yaqubi, kreu i policisë lokale, 20 vajza u sëmurën nga një helmim i dyshimtë në një tjetër shkollë të Kunduzit. Në jug dhe lindje të Afganistanit, ku talebanët kontrollojnë qytete dhe fshatra, shkollat për vajzat kanë mbetur të mbyllura, mësuesit kërcënohen dhe shumë prej vajzave janë sulmuar me acid. “Isha në klasë kur ndjeva një erë si të ndonjë luleje”, ka treguar Sumaila, 12 vjeçe, një nga vogëlushet e shtruara në spital. “Pashë shoqet e mia dhe mësuesen që u ra të fikët dhe kur hapa sytë ndodhesha në spital”, vazhdoi më tej vajza. Pavarësisht helmimit, Sumalia shpreson se i ati do e lejojë të kthehet në shkollë: “Jam shumë e frikësuar, edhe prindërit e mi janë të frikësuar. Babai më ka thënë se kam mësuar shumë gjëra. Nuk e di nëse pas kësaj do të më lënë të kthehem ende në shkollë”, përfundoi vogëlushja 12-vjeçare.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›