E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaza,qindra nxënës rinisin shkollën

Rihapen shkollat në Rripin e Gazës, për herë të parë që nga fillimi i operacioneve izraelite në territorin bregdetar. Në jug të Gazas, qindra nxënës frekuentuan klasat e sajuara me tenda në rrënojat e shkollës së tyre të vjetër të shkatërruar nga bombardimet izraelite. "Ne kërkuam tenda dhe na i sollën. Ne shpresojmë se do të vazhdojmë në edukimin dhe arsimimin e nxënësve tanë. Ne shpresojmë se niveli i arsimimit do të jetë më i mirë se më parë, pasi fëmijët kanë dëshirë të madhë për të mësuar. Ne do të vazhdojmë semestrin shkollor, sic e shikoni, në tenda, mes rrënojave të shkollës së vjetër", u shpreh mësuesja Amal al Ginaui. Në qytetin e Gazas, mijëra nxënës të të gjitha moshave u kthyen në shkollat e tyre të Kombeve të Bashkuara, që u përdorën gjatë konfliktit si vendstrehime për familjet e evakuuara nga shtëpitë e tyre. Të paktën 1 300 palestinezë u vranë dhe rreth 5 000 të tjerë mbetën të plagosur gjatë ofensivës izraelitë në Rripin e Gazës. Ndërkohë që shumë shkolla të agjencisë së OKB-së për refugjatët UNRWA, në të cilat strehoheshin familjet palestineze u bombarduan nga izraelitët, duke shkaktuar dhjetëra të vdekur, mes tyre shumë fëmijë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›