E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gazetarja britanike në podkastin “Flasim” të Ramës: Shqipëria një vend krejt ndryshe, dua të plakem këtu

Gazetarja britanike, Alice Taylor që jeton prej disa vitesh në Shqipëri, ishte e ftuara e radhës në podkastin “Flasim”, të kryeministrit Edi Rama, e cila tregoi detaje jetesa e saj në vendin tonë, por nuk la pa komentuar as politikat britanike për emigracionin.

Taylor tha se Shqipëria ka ndryshuar shumë në 5 vitet e fundit, e ndërsa shton  se megjithatë ka gjëra që mund të rregullohen. Gazetarja tha se ngre zërin për të bërë kritika sepse e sheh të ardhmen e saj në vendin tonë.

 “Në 5 vjet e gjysmë ka pasur jashtë mase ndryshime. Disa prej tyre janë të mira, disa prej tyre nuk jam domosdoshmërisht tifoze e tyre. Është më e lehtë sot që t’i bësh gjërat këtu. Kështu edhe rrugët në mbarë vendin janë më të mira. Po, ka pasur ndryshime. Po sigurisht, ka gjëra që kur jeton këtu për një kohë të gjatë dhe zhytesh më shumë në këtë shoqëri dhe fillon t’i kuptosh, fillon të shohësh dhe dua që t’i paraprij diskutimit tonë, duke thënë se kritika ime dhe kemi folur për këtë, është rezultat i pasionit, sepse kur shkruaj një artikull, shkruaj sepse kam një ndjenjë të fortë të drejtësisë sociale, në qoftë se shoh diçka që më mërzit, mërzitem thellësisht. Kështu del ajo që shkruaj sepse unë dua që gjërat të ndryshojnë. Dua të rris vajzën time këtu. Dua të plakem këtu”, tha ajo.

Ndalur te politikat britanike për emigracionin, Taylor nuk hezitoi të thoshte se ndjehet e turpëruar për shumë prej tyre. Ajo përmendi retorikën kundër Shqipërisë, diskriminimin që i bëhet shqiptarëve në Britani vetëm për shkak të origjinës së tyre, apo edhe faktin që shumë personave i janë mohuar vizat për të vizituar të afërmit e tyre, apo edhe për të studiuar.

“Qeveria nuk shkon, retorika e tyre kundër Shqipërisë është e turpshme. Më vjen turp kur shoh gjërat më të fundit që kanë thënë. Më vjen turp nga politikat e tyre të emigracionit. Më vjen turp nga mënyra se si i trajtojnë të huajt. Kjo është gjëja kryesore që më bën të ndjej. Kur dëgjoj shqiptarë që më thonë që fëmijët e tyre janë bullizuar në shkolla në Angli sepse janë shqiptarë apo sepse nënave të tyre u është refuzuar viza për të shkuar për të vizituar vajzën që sapo ka pasur një fëmijë, atëherë kjo është e turpshme. Çfarë e bën këtë vend kaq të madh sa që kanë të drejtën të kthejnë mbrapsht një qenie njerëzore që ka një arsye të vlefshme për të shkuar atje? Kam miq që nuk kanë arritur të marrin viza për të studiuar në universitete atje. Mendoj që është qesharake ne momentin kur vendi ka një mungesë të krahut të punës dhe më duket e turpshme. Nuk më bën krenare të jem britanike aspak”, tha Alice Taylor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›