E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetat e së nesërmes

Nekrologjia është fiksuar në këto data: 1764-2009. "Pas një beteje të gjatë me rënien e publicitetit, moshën e lexuesve gjithmonë e më të lartë, konkurrencën e internetit, nivelet e larta të borxheve, kostot e mëdha, ambiciet e ekzagjeruara dhe stresin, industria e gazetave ndërroi jetë", shkruan teksti i analizës së publikuar në gazetën e madhe "Financial Times", duke hapur në këtë mënyrë çështjen mbi krizën e informacionit të përditshëm. Nga gjigandja "New York Times", te gazetat e vogla provinciale, shtypi i shkruar po pëson një rënie të paimagjinueshme: krizës së saj strukturore, të provokuar nga pushteti i uebit, i është shtuar edhe kriza ekonomike botërore, më e keqja që nga koha e Depresionit të Madh. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazetat po mbyllen njëra pas tjetrës, ndërsa anekënd globit të gjithë po humbasin tirazh e fitime dhe po përpiqen të mbijetojnë duke reduktuar shumë shpenzimet. Megjithatë, shtypi i shkruar nuk ka pasur kurrë kaq shumë lexues sa sot, falë faqeve të tyre në internet, që në pjesën më të madhe të rasteve janë pa pagesë dhe sigurojnë të ardhura publicitare shumë të ulëta. "Na jepni sot gazetën tonë të përditshme", vazhdojnë të thonë qytetarët anekënd botës, të cilët janë mësuar ta lexojnë në ekranet e kompjuterëve apo internetit, pa harxhuar asnjë qindarkë. Por a është e vërtetë se gazeta ka "vdekur", siç sugjeron artikulli i "Financial Times" (2.5 për qind kopje më pak se një vit më parë)? "New York Times" u detyrua të shiste selinë e re për të paguar borxhet; "Philadelphia Enquirer", një gazetë që dilte në treg prej 180 vjetësh, falimentoi; "San Francisco Chronice" është në prag të mbylljes; "Los Angelos Times" ka shkurtuar numrin e gazetarëve nga 1300 në 700. Edhe në Evropë panorama nuk ndryshon shumë nga SHBA-ja. Paradoksi, tregon Timothy Egan, ekspert i medias për "Herald Tribune", qëndron në faktin se kriza e gazetave vjen pikërisht në një kohë kur numri i lexuesve të saj po rritet me një shpejtësi marramendëse. Faqet e internetit të të përditshmeve amerikane kanë tërhequr në tremujorin e fundit të vitit 2008 më shumë se 66 milionë vizitorë, një rekord dhe një rritje prej 12 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Rreth 40 për qind e atyre që navigojnë në internet, hapin sajtin e një gazete. Edhe në Evropë tendenca është e ngjashme. "Është në krizë formati i gazetave të përditshme, jo thelbi. Duhet vetëm të presim që të dalë një model i ri", thotë Egan. Por nuk duhet pritur shumë. Dy ekonomistë të Universitetit të Yale-s, Davi Swebsen dhe Michael Schmidt, thonë se liria e informacionit është një e mirë shumë e rëndësishme për ta lënë si mall në treg, ndaj shpjegojnë se duhet të jenë filantropët e shquar ata që duhet të shpëtojnë gazetat. "Neuman Journalism Lab" i Harvard-it ka llogaritur se sa do të duhej vetëm për të përditshmet amerikane dhe shifra ishte 114 miliardë dollarë. Një shifër shumë e lartë edhe për filantropët kjo. Pastaj, jo të gjithë gazetarët mund të besonin se do të ishin të lirë. Në Francë, me këtë merret pjesërisht shteti, që ka injektuar 600 milionë euro në tre vjet në gazetat e përditshme, duke dyfishuar reklamat e vendosura në gazetë. Por jo të gjitha shtetet janë të gatshme ta bëjnë dhe nuk është e thënë që pas kësaj gjithçka të rregullohet. Një propozim ndryshe vjen nga Walter Isaacson, ish-drejtor i të përjavshmes "Time", që thotë se të vazhdosh t‘u japësh informacione falas përdoruesve në internet, është një zgjidhje vetëvrasëse për gazetat. Një tjetër zgjidhje është të ofrosh abonime dixhitale, siç bëjnë shumë, por fitimet në këtë mënyrë kanë qenë tepër të vogla. Isaacson mendon për një tjetër sistem, një metodë "mikropagesash", i thjeshtë për t‘u përdorur e që lejon të shkarkosh, për shembull në "Itunes", jo gjithë gazetën, por një artikull të caktuar. "Jetojmë në një botë ku çdo adoleshent nuk mendohet shumë që të paguajë për të dërguar një mesazh. Nuk besoj se duhet të jetë teknologjikisht dhe psikologjikisht e pamundur t‘i bindësh njerëzit të paguajnë 10 qindarka për të marrë informacionin", arsyeton ish-drejtori i "Time". Në periudhën e tranzicionit që po jetojmë mes modelit të vjetër dhe të ri të gazetave, Isaacson parashikon se disa të përditshme do ta braktisin tërësisht letrën dhe do të dalin vetëm online, të tjerat do të dalin nëpër kioska vetëm të shtunave dhe të dielave, njëlloj siç bëri "Christian Science Monitor" e Bostonit, dhe të tjerat do të përpiqen të ulin koston e prodhimit. Por në këtë pikë, diskutimi bëhet shumë i zjarrtë. "Nuk mund të bësh një gazetë të mirë me çmim të ulët", thotë i irrituar Bill Keller, fitues i çmimit "Pulitzer" dhe drejtor i "New York Times". "Nuk do të gjeni shumë bloger që për llogari të tyre hapin një zyrë korrespondence në Bagdad". Sigurisht, jo të gjitha mediat kanë dhe do të vazhdojnë të kenë mjete për të mbajtur zyra korrespondence në të gjithë botën dhe të harxhojnë paratë e nevojshme për të dhënë një informacion të pasur e të detajuar. "Nëse ulet vlera e produktit tënd, ulen edhe mundësitë e tua për të pasur sukses si në gazetarinë online, ashtu edhe në atë në letër", shpjegon John Morton, një tjetër analist i medias. "Për një kohë të gjatë kjo mund të dëmtojë emrin e një gazete, që është gjëja më e rëndësishme që ajo ka. Me pak fjalë, gazetat që vuajnë nga rënia e numrit të tirazhit dhe publicitetit, përgjigjen duke u dhënë lexuesve një gazetë më të varfër, për të për të shkurtuar shpenzimet dhe për të fituar. Në këtë mënyrë përshpejtojnë procesin e rrënimit". Megjithatë është e detyrueshme të bësh diçka kur tirazhi dhe publiciteti ulen dhe askush nuk e mohon se ka zona ku është e mundur, madje e nevojshme, për të ulur kostot. Njëra është nevoja për të reduktuar debitin e akumuluar, i cili merr çdo vit një pjesë të madhe të ardhurash. Një studim i agjencisë "Moody" ka zbuluar se debiti i "Gandett", rrjeti i dhjetëra gazetave amerikane, është katër herë më i madh se fitimet, ndërsa ai i "Tribune", një tjetër rrjet, është rreth 12 herë më i lartë. "Kurat" janë të ndryshme, madje disa nuk janë zbuluar ende, por mund të themi me plot gojën se lajmi për "vdekjen" e gazetave është shumë i ekzagjeruar dhe i pamatur. "Për mua, gazetat janë ditari më i mirë i përditshëm për të informuar dhe interpretuar realitetin që na rrethon, një mjet që do të jetë gjithmonë e më i nevojshëm në një botë ku ekonomia e ndërgjegjes bëhet edhe më e rëndësishme për të vendosur kush fiton dhe kush ka pushtet", tregon Timothy Egan, opinionisti i "Herald Tribune". Kështu, për mendimin e tij, vlen parimi i Tomas Jeferson-it: "Në qoftë se do më prisni mua për të vendosur nëse duhet të kemi një qeveri pa gazeta, apo gazeta pa qeveri, nuk do të hezitoja asnjë çast të thosha se preferoj variantin e dytë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›