E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia jeshile

Vendimi për të mbjellë një kopsht perimesh në Shtëpinë e Bardhë është një ndër planet domethënëse të Barack Obama-s gjatë këtyre muajve të parë të mandatit. Ëndrra që kishte në 1995-ën Alice Waters, zëvendëspresidente ndërkombëtare e "Slow Food" (ushqimeve bio, të freskëta), kur i kërkoi formalisht (por pyetja e saj ra në vesh të shurdhët) çiftit Clinton për të bërë të njëjtën gjë, më në fund po realizohet. Që nga kohërat e Bill dhe Hillary-t, Alice është përpjekur gjithmonë që projekti i saj të vihej në zbatim, por nuk pati sukses. Megjithatë, kur mbështeste Obama-n gjatë fushatës elektorale dhe ndërsa merrte pjesë në organizmin për festën e madhe të fitores, ajo rrëfeu: "Kisha bindjen se Barack do të ishte personi i duhur për të më ndihmuar në projektin tim".

Gazetat shkruajnë se edhe Mishel Obama ka qenë dakord me këtë vendim. Në fakt, është tradicionale që zonjat e para të zgjedhin ushqimin që do t‘u serviret në pjata. Janë përkujtuar "Victory Gardens" (kopshtet) e zonjës Roosevelt në kohërat e luftës dhe kjo është një mënyrë e mirë për të dhënë lajmin. Por duhet theksuar se lëvizja e madhe e personave që lidhen me botën biologjike, prodhimet bujqësore vendase, markatat bujqësore dhe ushqimet bio- një rrjet i madh popullor ky në Shtetet e Bashkuara që po shndërrohet në një fe -padyshim që ka luajtur një rol të rëndësishëm.

Fakti që burri më i fuqishëm i botës ka vendosur të bëjë atë që lëvizjet e lartpërmendura po realizojnë prej kohësh në shkollat dhe komunitet e vogla me "school gardens" (kopshtet shkollore), tregon njëherë e përgjithmonë se nuk bëhet fjalë për një gjest shpëtimtar, snobist apo më keq "fëmijësh", por është politikë e vërtetë (nga ana e saj, "Sow Food", pas projekteve të Alice Waters në Shtetet e Bashkuara, ka mbjellë rreth 200 kopshte shkollore në Itali dhe pothuajse 300 të tjera në pjesën tjetër të botës).

Jo rastësisht është një vendim i marrë pas njoftimit nga ana e Obama-s për të reformuar "Food and Drug Administration" (Administratën e Ushqimit dhe Drogës), ent që duhet të kujdeset për sigurinë ushqimore të qytetarëve amerikanë dhe aprovoi kultivimet OMGJ, hormon i rritjes në bujqësi dhe çdo lloj ushqimi shtesë. Gjëja më e rëndësishme është një vendim i marrë gjatë kësaj krize ekonomike, e cila po i vë përballë një prove të rëndë Shtetet e Bashkuara dhe botën, që sipas tij do t‘u shërbejë të gjitha familjeve amerikane.

Kjo nuk është vetëm një mënyrë për të marrë ushqime të freskëta, por edhe një çështje e vërtetë ekonomike: është diferenca që kalon mes çmimit dhe vlerës. Natyrisht që kjo mënyrë do të jetë më e shtrenjtë për Sam Kaas, kuzhinierin e Shtëpisë së Bardhë, që fillimisht të mbjellë vetë lëndët e para, më pas të kujdeset për perimet, t‘i ujisë, t‘i prashisë, ndërkohë që për të shmangur gjithë këto procese, që fundja është humbje kohe, mund të blejë gjithçka që i nevojitet në supermarket. Por jo të gjithë njerëzit mendojnë dhe veprojnë njësoj. Për shembull, një fermeri për të mbjellë një kopsht të madh i duhej të prashiste disa hektarë tokë dhe e bëri me dorë, ndërkohë që të gjithë i sugjeronin një ekskavator: "Jo, u përgjigj ai, preferoj duart e mia, të paktën e di se çfarë ndodh me tokën". Ka gjëra që mund të duken të pamundura dhe nuk të bindin, por fshehin një vlerë që shkon përtej llogarive të thjeshta, sepse të mbjellësh një kopsht në shtëpi është një akt politik; prashitja e tokës me dorë është gjithashtu akt politik. Nuk ka rëndësi sa vlen akti, rëndësi ka ai që e bën, si dhe pse e bën. Bëhet fjalë për të ndjekur një politikë të re lokale, që ka shumë avantazhe në konsumimin e produkteve të freskëta të stinës, që janë më të mira e më pak të ndotura, por veçanërisht të bëjë protagonistë qytetarët dhe të rrënjosë një bindje të re për ushqimin dhe nevojat e natyrës. Në këtë mënyrë nuk do të jemi më konsumatorë pasivë, por do të bëhemi zotër të jetëve tona, duke i bërë edhe më të bukura.

Nuk dihet se sa e vërtetë është- siç tregon një studim i bërë nga Universiteti i Upsalas -që të mbjellësh një kopsht me perime ose një bahçe me lule të zgjatet jeta, por është e sigurt se mund të revolucionojë për mirë zakonet tona ushqimore. Mos vallë duhej Obama që të hapeshin sytë? Cilado që të jetë përgjigjja, e rëndësishme është se Obama po e bën të mundur këtë ëndërr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›