E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Të ndërhyjmë në Kushtetutë

Pa u mbushur ende një vit nga ndryshimi i parë i Kushtetutës, mazhoranca rihedh sërish idenë e ndërhyrjes. Këtë herë ka qenë zëvendëskryeministri Genc Pollo që e ka bërë këtë deklaratë pas ceremonisë së prezantimit të ministrit të ri të Kulturës, Ardian Turku. Sipas Pollos, kohëzgjatja e tepërt e procesit derisa ministri mori efektivisht detyrën përbën një anomali që duhet korrigjuar. "Është e pakuptimtë që një ministër i cili është caktuar në detyrë me datë 5 mars, të ulet në skrivaninë e tij vetëm më 17 mars", vlerësoi Pollo. Sipas tij, kjo rrjedh nga deformimet që i janë bërë sistemit kushtetues para 7-8 vjetësh dhe lipset që aktorët politikë të shqyrtojnë legjislacionin për të bërë ndërhyrjet e nevojshme. Në nenin 98, pika 1 të Kushtetutës thuhet se ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Pika 2 e po këtij neni thekson se dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi. Ndërsa në nenin 99 theksohet se para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës. Procedurë e cila është ndjekur dje nga ministri i ri i Kulturës. Ish-ministri i Kulturës është shkarkuar nga Kryeministri më datë 5 mars dhe po në këtë ditë është dekretuar shkarkimi i tij edhe nga Presidenti i Republikës. Më 10 mars, Presidenti ka dekretuar emrin e ministrit të ri dhe më 12 mars është bërë votimi i dekretit si të emërimit të ministrit të ri ashtu edhe të shkarkimit të ish-ministrit Pango nga Kuvendi. Dje, me datë 17, në Presidencë, ministri i ri, Turku, ka bërë betimin para kreut të shtetit. Këto procedura të ndjekura sipas Kushtetutës në vlerësimin e zëvendëskryeministrit janë tej mase të zgjatura, ndaj ai kërkon që të rishikohet kuadri ligjor për t‘i përshpejtuar ato. I kontaktuar nga "Shqip", numri dy i qeverisë tha se rregullimi ligjor për këtë rast mund të çojë deri në ndryshimin e Kushtetutës, por këtë e vlerësojnë ekspertët. Nëse kjo ndodh, nuk rezulton të jetë hera e parë që ndërhyhet në dokumentin themeltar gjatë këtyre katër viteve. Ndryshimi i parë në Kushtetutë është bërë në fund të 2006-ës fillim të 2007, ku partitë pas insistimit të LSI-së miratuan ndryshimet që kishin në thelb shtimin e KQZ-së nga 7 në 9 anëtarë. Gati një vit më parë, më 21 prill 2008, PD-ja dhe PS-ja në unison me njëra-tjetrën pranuan ndryshimin e Kushtetutës në disa nene siç ishte sistemi zgjedhor. KQZ-ja pas këtyre ndryshimeve humbi statusin e institucionit kushtetues dhe u rikthye sërish me 7 anëtarë. Në këto ndryshime u përfshi edhe neni që flet për mocionin e besimit dhe mosbesimit të Kryeministrit ashtu sikurse mënyra dhe procedura e zgjedhjes së Presidentit të vendit. Në bazë të ndryshimeve të fundit, Presidenti nuk zgjidhet më me shumicë të cilësuar, por me shumicë të thjeshtë, pasi konsumohen dy votimet e para. Ideja për ndryshimin e Kushtetutës nuk mbetet këtu, pas zgjedhjeve pritet të ketë sërish një ndryshim tjetër këtë herë për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit.

Kushtetuta

Neni 98

1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve

2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi

Neni 99.

Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës

Ceremonia

Turku betohet te

Presidenti Topi

Ministri i ri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve është betuar dje para Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Ceremonia e Betimit është zhvilluar në ambientet e Pallatit të Brigadave, dhe kanë qenë të pranishëm deputetët e Elbasanit, Dashnor Sula dhe Aurel Bylykbashi, prefekti i Elbasanit, Shefqet Deliallisi, rektori i universitetit "Aleksandër Xhuvani", Liman Varoshi, shkrimtari i njohur, Fatos Kongoli, dhe artisti Alfons Balliçi, si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të emërimit nga sekretari i përgjithshëm i institucionit të Presidencës, Aleksandër Flloko, me dorë në Kushtetutën e Shqipërisë, Turku ka bërë betimin përpara Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili, duke i dorëzuar dekretin ministrit të ri të Kulturës, ka shprehur urimet më të mira për të përmbushur me sukses detyrën e lartë. Presidenti Topi e ka dekretuar emërimin e Turkut në detyrën e ministrit të Kulturës, më datë 10 mars 2009, në mbështetje të neneve 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit Sali Berisha.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›