Gazheli me DG TAXUD për përafrimin e sistemit doganor me standardet e BE

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli priti sot në një takim përfaqësuesit e DG TAXUD, Antonio Blanco dhe Karel De Greve, në kuadër të përmbushjes së angazhimeve për kushtet konkrete të Kapitullit 29 të negociatave me BE.
Gjatë takimit, u diskutua mbi hapat që po ndërmerren për përafrimin e mëtejshëm të sistemit doganor shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe mbi bashkëpunimin teknik në kuadër të procesit të integrimit.
Gazheli vuri në dukje se ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt objektivit “Shqipëria 2030”, duke theksuar se forcimi i administratës doganore dhe përmirësimi i standardeve janë thelbësore për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në shërbim të bizneseve dhe qytetarëve.
“Ky proces është një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit tonë drejt integrimit europian dhe synon harmonizimin e plotë të legjislacionit dhe praktikave doganore me ato të Bashkimit Europian”, u shpreh Gazheli.
/r.e/a.f/