E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rikonstruksioni i një blloku banimi në Tiranë, miratohen shpronësimet

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Qeveria ka vendosur shpronësimin e disa pasurive private në Tiranë për realizimin e projektit “Rikonstruksioni i bllokut të kufizuar nga rrugët Ali Baushi, Arben Minga, Kongresi i Manastirit, Ibrahim Brahja dhe Xhanfize Keko”, në interes publik.

Sipas vendimit, shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë, që do të kryejë rikonstruksionin e zonës.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse për pasuritë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 62 141 019 lekësh.

Shpenzimet procedurale prej 50 000 lekësh përballohen gjithashtu nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

Afati i përfundimit të shpronësimeve është brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Sipas vendimit Agjencia e Kadastrës do të regjistrojë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë dhe do të pezullojë çdo transaksion për pasuritë e shpronësuara deri në përfundimin e procesit.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë, Agjencia e Kadastrës dhe Agjencia për Shpronësimin për zbatimin e vendimit.

Vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe është botuar në “Fletoren Zyrtare”. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›