E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gazi dhe nafta në Shpirag/ Rama: Në proces analizash! Kemi nevojë të jashtëzakonshme për mbështeje në energji

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët përmbyllëse të Ballkanit të Hapur, ka konfirmuar se Shqipëria është në vigjilje të konfirmimit për vënien në shfrytëzim të një sasie të madhe gazi dhe nafte të zbuluar në zonën e Shpiragut. Rama sqaroi se kërkon ende shumë vite që Shqipëria të kthehet në eksportues neto pasi procesi i analizës, nxjerrja në sipërfaqje e naftës dhe gazi të zbuluar në zonën e Shpiraut kërkon shumë kohë.

Në këtë aspekt, teksa theksoi se pas disa vitesh Shqipëria do të njohë ditë shumë të mira, Rama tha se aktualisht vendi ynë ndodhet në kushte shumë të vështira dhe ka nevojë të jashtëzakonshme për durim, mbështetje dhe bashkëpunim.

“E vërtetë që Shqipëria gjendet në vigjilje të konfirmimit ose jo të mundësisë për të vënë në shfrytëzim një sasi shumë të madhe nafte dhe gazi të zbuluar në zonën e Shpiragut, pra në jug-lindje, por kjo nuk ka të bëjë me atë që mund të bëjmë së bashku me Maqedoninë e Veriut. Kjo sasi e madhe gazi dhe nafte është në procesin e analizës për mundësinë e komercializimit pasi duke qenë në shtresë të thellë bëhet analizë e kostove për nxjerrjen në sipërfaqje dhe futjes në treg. Mes Shqipërisë dhe Serbisë ka të bëjë me bashkëpunimin në sektorin minerar dhe ne jemi 100% energji e gjelbër. Në kushtet kur krijohet mundësia e shkëmbimit të qymyrit me energjinë është zgjidhje e mire. Për gazin, Shqipëria ka sot një mundësi historike për një transformim në Portin e Vlorës ku kemi hyrë në fazën e realizimit të një projekti për ta transformuar hyrjen në port në terminal të gazit të lëngshëm dhe në TEC-in e Vlorës të mund të prodhohet energji elektrike me transformimin përmes hyrjes së terminalit dhe jemi në bisedime me Maqedonia e Veriut dhe Kosovës për ti bërë pjesë të këtij projekti. Janë përfshirë një sërë aktorësh dhe presim dhe një nga Arabia Saudite. Jemi në proces diversifikimi për ta kthyer Shqipërinë në eksportues neto dhe gjithë çfarë vjen përpara ta përballojmë vetë. Kjo kërkon disa vite. Ka një keqkuptim sipas së cilit meqë ne bazohemi në HIDRO e kemi energjinë të siguruar, mjaft që të mos e shesim. Keqkuptim i madh se ne nuk e prodhojmë dot as në ditët më të mira tonat, gjithë energjinë që konsumojmë. Ne duhet të dalim në treg për të importuar energji. Nuk kemi mundësi të depozitojmë ujin e tepërt kur kemi shumë reshje dhe varemi shumë nga importi. Me hidrocentralin e ri që do jetë depozituesi kryesor i reshjeve, me ndërtimin e parqeve voltaike, duke integruar gazin e lëngshëm, do jemi në kushte shumë të mira. Por tani jemi në kushte shumë të vështira dhe kemi nevojë të jashtëzakonshme për durim mbështeje dhe bashkëpunim”, tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›